Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në burg ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Kërkesa e Veliajt lidhej me konstatimin e “shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024, dhe shpalljen e pavlefshmërisë së veprimeve hetimore”.
Ish-kryebashkiaku ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit, pas hetimeve të SPAK për një skemë të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash që, sipas akuzës, përfshinte edhe bashkëshorten e tij.
Sipas hetimeve, çifti Veliaj–Xoxa dyshohet se ka përfituar rreth 1 milionë euro përmes një rrjeti kompanish dhe OJF-sh, duke kanalizuar fonde publike dhe ryshfete nga kontraktorë të Bashkisë së Tiranës. Paratë, sipas SPAK, janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Në fillim të muajit, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga Veliaj, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së “arrestit në burg” me një masë më të butë sigurie.
Dosja ‘Veliaj’
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet ndaj Veliajt, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, duke dërguar për gjykim një dosje voluminoze me akuza të shumta për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie.
Sipas SPAK-ut, dyshja Veliaj dhe Xoxa kanë vepruar në bashkëpunim të plotë në të paktën nëntë raste të dokumentuara, ku kanë përfituar shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani private dhe organizata jofitimprurëse.
Në këmbim, këto subjekte kanë përfituar leje ndërtimi, fonde publike dhe favore administrative nga Bashkia Tiranë, të firmosura drejtpërdrejt nga kryebashkiaku.
Organizatat jofitimprurëse si “Harabel”, “Eventus”, “Muza” dhe “BYL-A”, bashkë me subjekte të tjera si “Rametal” dhe persona të afërt me Xoxën, rezultojnë të kenë qenë pjesë e mekanizmit të pastrimit të parave, përmes transferimit dhe integrimit të shumave të mëdha në sistemin bankar, duke fshehur origjinën e paligjshme të tyre.
Një tjetër aspekt i përmendur në hetim është shuma prej 86 milionë lekësh, e shpenzuar nga Ajola Xoxa për blerje luksi online – përfshirë veshje, bizhuteri dhe kozmetikë – si dhe përdorimi i cash-it për pagesa eventesh, qira dhe aktivitete të bizneseve të kontrolluara prej saj, jashtë sistemit bankar dhe pa deklarim tatimor.
SPAK-u nënvizon gjithashtu se Veliaj ka miratuar një Plan të Detajuar Vendor (PDV) dhe më pas leje ndërtimi në një truall ku bashkëshortja e tij kishte interesa të drejtpërdrejta pasurore, duke vepruar në kushte të qarta të konfliktit interesi dhe në shkelje të kompetencave ligjore.
Hetimi paraprak përfundon se të pandehurit kanë konsumuar elementë të të paktën shtatë veprave penale, mes tyre: Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë; Pastrimi i produkteve të veprës penale; Fshehje pasurie; Shpërdorim detyre; Shkelje të ligjit për deklarimin e pasurive.