Aplikimi i Kosovës pranohet në Këshillin e Evropës

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është miratuar nga Komiteti i Ministrave me mbi dy të tretat e votave të nevojshme.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

“Aplikimi i Republikës së Kosovës pranohet në Këshillin e Evropës (KE) – faza e parë e procesit kalohet me sukses. Para pak minutash, Komiteti i Ministrave, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, votoi në favor të pranimit të aplikimit të Republikës së Kosovës në KE dhe kërkoi opinionin e Asamblesë Parlamentare (APKiE) mbi këtë aplikim”, ka shkruar ai në Facebook.

Njoftimi i plotë:

Aplikimi i Republikës së Kosovës pranohet në Këshillin e Evropës (KE) – faza e parë e procesit kalohet me sukses

Para pak minutash, Komiteti i Ministrave, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, votoi në favor të pranimit të aplikimit të Republikës së Kosovës në KE dhe kërkoi opinionin e Asamblesë Parlamentare (APKiE) mbi këtë aplikim.

Ky është një sukses i rëndësishëm multilateral i Republikës së Kosovës, veçanërisht pas një periudhe të kompromiseve në të kaluarën, të cilat ia pumundësuan Kosovës anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Tani, na pret një punë intensive në APKiE, organ i cili do të përpilojë një numër raportesh mbi Kosovën dhe do ta jap opinionin e tij mbi anëtarësimin e saj në KE.