Albert Vataj
Frank Llojd Wright, një nga arkitektët më të mirë të kohës sonë shkroi në librin e tij: ‘Dy arkitektë kanë ardhur në tokë. I pari është arkitekt Sinani kurse tjetri jam unë. Sinani ishte kohanik i italianit Mikelangjelo dhe britanikut Christopher Wren. Përderisa plasaritjet e kubes…të ndërtuar nga Mikelangjelo vazhdojnë të riparohen me rrathë hekuri nga farkëtarët e Romës, tempujt e Sinanit do të qëndrojnë të tillë deri në Ditën e Fundit”. Sipas listës zyrtare të veprave të tij, të Tazkirat-el-Abniya, Mimar Sinani ka projektuar dhe ka mbikëqyrur ndërtimin e 476 veprave, prej të cilave 196 prej tyre mbijetojnë edhe sot pas afro 500 vitesh. Gjenialiteti i tij si arkitekt kaplon një dimension kohor dhe gjeografik i papërshkuar më parë dhe paarritur më vonë Nga Meka në Krime e deri në Vjenë ai ka hedhur themelet e qytetërimit dhe kurajës, aftësisë inovative në ndërtim duke i rezistuar kohës dhe sfidave të pamatshme.
Arkitektura zë një vend shumë të rëndësishëm në Artin Islam, sepse ajo reflekton shumë veçori të kulturës së saj. Me që skulptura dhe piktura janë të kufizuara në Islam, arkitektura dhe zbukurimet arkitektonike janë mënyra më e përshtatshme për artistët që të shfaqin artin dhe talentin e tyre.
Kur flasim për arkitekturën otomane, historianët e artit kanë konstatuar dy stile kryesore të artit:
Arti selxhuk dhe Arti osman, i cili shtrihet në 6 periudha kohore, ku në periudhën e parë (klasike) personi më i rëndësishëm dhe me arritjet më të larta është Mimar Sinani.
Sinani është një ndër arkitektët më të famshëm dhe më të admiruar botërisht, dhe pa dyshim arkitekti më i spikatur i një periudhe e cila në historinë evropiane njihet si koha e Renesancës.
Ai ishte një arkitekt i cili u ngrit në periudhën më të shkëlqyer të Perandorisë Osmane, gjatë kohës së sundimit të Selimit II, III dhe Muratit, e cila atëherë shtrihej përgjatë tri kontinenteve, atij të Azisë, Evropës dhe Afrikës. Qytetërimi Osman atëbotë gëzonte pasuri të pashembullt, energji dhe vetëbesim të pa parë, ambient ky që ndikoi në paraqitjen e një numri të madh të figurave të shquara në art e shkencë, sikurse edhe në politikë dhe administratë, ligj apo teologji.
Mimar Sinani, Lindja dhe origjina
Ka kundërthënie të shumta rreth origjinës së tij, ku shumë popuj pretendojnë ta kenë të origjinës së tyre, mirëpo ka fakte të shumta që dëshmojnë prejardhjen e tij shqiptare si nga historianët tanë, ashtu edhe nga ata turq.
Për vitin e lindjes së Mimar Sinanit nuk ka të dhëna të sigurta. Sami Frashëri shkruan se Sinani kishte jetuar mbi njëqind vjet. Data e lindjes së arkitetkt Sinanit si duket është ngatërruar për shkak të ndryshimeve mes kalendarëve krishterë e Islam, por si më e saktë thuhet se ai ka lindur rreth vitit 1490 në Qesarat ne fshatin Sinanaj, rrethi i Tepelenës, ku kaloi fëmijërinë e tij deri në moshën 18 vjeç, ku iu nënshtrua ligjeve të “Devshirmese”, sipas të cilit Perandoria Osmane në tokat e pushtuara krishtere, sidomos të Ballkanit mblidhte fëmijët e talentuar, të cilët pastaj i trajnonte në një sistem të rreptë për të krijuar ushtarë superior por edhe udhëheqës të lartë në Pallatin e Sulltanit. Pas kësaj, më 1521 rekrutohet në korpusin e jeniçerëve në formacionet xheniere të ushtrisë osmane.
Ai udhëhoqi një karrierë aktive ushtarake. Gjatë udhëtimeve të tij për qëllime ushtarake, ai duhet të ketë parë shembuj të mirë të arkitekturës së civilizimeve të ndryshme në vendet Aziatike, Evropiane dhe Afrikane duke u interesuar për arkitekturën e këtyre vendeve, të cilat i mësoi edhe duke mbajtur shënime.
Fillimisht do të merr pjesë në ekspeditën e Çaldiranit më 1514. Dy vjet më vonë, bashkë me ushtrinë osmane ai do të merr pjesë përsëri në një ekspeditë, kësaj radhe në Egjipt nën udhëheqjen e Javuz Sulltan Selimit, gjatë viteve 1516-1520. Gjatë këtyre ekspeditave, ai do të ketë rastin të njoh dhe studioj artet e Anadollit, Persisë dhe Egjiptit. Më 1520 ai do t’i nënshtrohet shërbimit të Sulltan Sulejmanit të Mrekullueshëm ku edhe fillon edukimin universitar po të njëjtin vit. Ai do të shërbej si zemberekxhibasi në betejën e Rhodes, Beogradit dhe Mohaçit. Mendja e tij edhe këtu ishte e preokupuar në mbledhjen e stileve dhe teknikave tipike të arkitekturës perëndimore. Ai madje do të shkojë edhe në Bagdad e Persi gjatë ekspeditave atje, më 1529 respektivisht 1536.
Fillet e tij prej arkitekti
Ende në moshën 49 vjeçe, Sinani nuk ka filluar karrierën e cila do ta bëjë atë me famë botërore. Detyrat me të cilat ishte i ngarkuar Sinani deri më tash nuk lidhen aspak direkt me arkitekturën.
Ai projektoi dhe organizoi punimet dhe ndërtoi për 13 ditë, urën mbi lumin Prut në Rumani. Për shpejtësinë e ndërtimit, rezistencën e urës mbi të cilën kaluan reparte të shumta dhe mjete të renda luftarake, që ndikuan në fitoret e ushtrisë, që drejtoheshin nga Sulltan Sulejmani, Sinani thirret nga Sulltani dhe emërohet në shtabin qendror, i cili drejtonte formacionet xheniere dhe ndërtimet fortifikuese ushtarake.
Në ekspeditën e fundit ushtria duhej ta merrte Kështjellën Van, të ngritur mbi bregun e Liqenit Van (më e madhja në Turqi). Sinani ishte ngarkuar që të projektojë dhe ndërtojë tri galeri, të cilat nevojiteshin për ta pushtuar kështjellën. Ai kompletoi punën e dhënë me aq sukses sa që u vu në komandë të anijeve. Me tu kthyer në Stamboll, ai u caktua haseki (gardë personale e Sulltanit). Më 1537, ai përgatit marinën për pushtimin e Italisë. Pas dy vitesh, ai do të emërohet në krye të policisë.
Megjithatë, kur më 1539 u vu në detyrë të Ministrisë për Punë Publike jeta dhe puna e tij ndryshuan tërësisht. Nga viti 1539 deri në fund të jetës, ai do të punoj vazhdimisht për të konstruktuar seri po thuajse të pa fundme të monumenteve më të mrekullueshme dhe më madhështore. Shquhet jo vetëm si ndërtues i thjeshtë, por edhe projektues, organizues e zbatues punimesh në ndërtimin e rrugëve, urave, kalave, e shumë objekteve fortifikuese, që ndikonin në fitoret e betejave që zhvillonte ushtria osmane.
Pasuritë e fituara nga luftërat, shtonin vazhdimisht bilancin e arkës Osmane. Këto të ardhura shfrytëzoheshin për ndërtimin e objekteve të mëdha publike si hane, spitale, shkolla dhe vendeve për adhurim, në projekte të infrastrukturës sikurse ura, rrugë e kanale, nëpër territoret e posa çliruara. Qëllimi i Osmanlinjve nuk ishte konfiskimi i pasurisë së këtyre shteteve në formë materiale ose shfrytëzimi i fuqisë punëtore, përkundrazi, qëllimi i tyre ishte përhapja e Islamit dhe bashkë me të edhe përhapja e qytetërimit.
Për gati pesëdhjetë vjet, ai punoi si arkitekti kryesor me një ekip të madh të asistentëve të përbërë nga arkitektë dhe ndërtues master.
Historianët e arkitekturës konstatojnë se fazat e pjekurisë së punës së tij ndahen në tri periudha.
E para, faza e çirakllëkut (zanati) në arkitekturë, ai ndërtoi “Xhaminë Shehzade” e Mehmetit në Stamboll, që konsiderohet si vepra e tij fillestare
E dyta, ajo e kallfës (kualifikimit), në të cilën ndërtoi “Sulejmanien” madhështore po në Stamboll, në një hark kohor prej 7 vietesh, kushtuar Sulltan Sulejmanit. Këtu edhe tregon mjeshtërinë e pashoqe të tij dhe
E treta dhe e fundit, në të ustallëkut (mjeshtërisë), kur Sinani ndërtoi “Selimijen” në Edrene, në kohën e Selimit të Tretë. Thuhet të jetë kryevepra e Sinanit, më madhështorja në mesin e të arriturave të tij të jashtëzakonshme.
Veprat kolosale të Arkitekt Sinanit
Projektet e kryera nën mbikëqyrjen e tij ndahen tri drejtime:
Fetare (sakrale),
Ushtarake dhe Urbane.
Në rrjedhën e gjatë të karrierës së tij Sinani ka ndërtuar:
84 xhami,
52 mesxhite (xhami e vogël)
7 spitale,
57 medrese (shkolla teologjike),
7 shkolla për leximin e Kur’anit,
22 tyrbe
17 imarete (shtëpitë lëmoshë)
5 ujësjellës
8 akueduktë dhe ura,
48 Karavansaraje (bujtina),
35 pallate,
8 magazina dhe
48 banjo në të gjithë Perandorinë Osmane, nga Budapesti deri në Mekë, nga Sofja deri në Damask.
Po ashtu ka edhe disa objekte tjera, por të cilat nuk kanë ndonjë rëndësi të nivelit perandorak.
Pasqyrë e tri veprave më madhore të Mimar Sinanit
Xhamia Shezade (xhamia e princave), i kushtohet princit trashëgimtar Mehmetit, birit të Sulltan Sylejmanit. Ajo u ndërtua brenda viteve 1545-1548. Me planimetrinë e kësaj xhamie, Sinani arrinë të krijoj shembullin e parë të formësimit të pastër qendror në arkitekturën osmane të Stambollit. Planimetria e këtij objekti paraqet një katror, ana e të cilit është 45m. Kubeja qendrore nga të katër anët ndërlidhet me gjysëmkube të diametrit të njëjtë me kubenë qendrore. Ky katror i madh ndahet në 16 fusha të barabarta katrore, nga të cilat katër të mesmet mbulohen me kubenë qendrore, të cilën e mbajnë katër shtylla masive. Diametri i kubesë qendrore është afër 22m, gjë që manifeston ambiciet e mëdha të arkitektit. Në të majtë të xhamisë gjenden ndërtesat ndihmëse të kompleksit, siç janë medreseja, strehimorja e varfanjakëve dhe kuzhina. Stili dhe struktura e xhamisë janë tërësishtë risimtare, saqë shfaqin tipare deri atëherë të panjohura. Këto tipare inovative paralajmëronin përsosmërinë strukturore që synonte Mimar Sinani në arkitekturën e xhamive. Ato shquhen si të papërsëritshme për arkitekturën ndërtimore dhe akustikën e mahnitshme.
Gjatë gjashtë vjetëve të ardhshme, 1550-1556, Mimar Sinani do t’i përkushtohet tërësishtë realizimit të njërit nga projektet e tij më të suksesshme, xhamisë dhe kompleksit të Sulltan Sylejmanit në Stamboll – “Sulejmaniye”.
Visegrad_Drina_Bridge Si një njohës i shkëlqyeshëm i të gjitha elementeve të stilit arkitektonik osman, ai tanimë po krijonte një kryevepër që do të pasqyrojë një nga shembujt më të bukur të arkitekturës islamike në përgjithësi. Ky kompleks monumental me një hapësirë prej 700.000 metër katror, përposë xhamisë, strehon edhe katër shkolla, një fakultet të medicinës, një bibliotekë, hanin, shkollën fillore, godina private për studentët e hadithit dhe kelamit, një pazar të madh, dhe në fund pajisje akomodimi për stafin.
Xhamia ka katër minare me gjithsej 10 galeri (sherefe). Supozohet se simbolizojnë sulltanin e dhjetë të Perandorisë Osmane. Përmasat e xhamisë janë 69 m x 63 m. me kubenë qendore prej 53 m lartësi dhe me diametër 27, 25 m. Në trupin e shtyllave gjinden 32 dritare. Kubeja mbahet nga katër shtylla të mëdha gurësh monolitë kristalorë që ndërlidhen me 4 harqe. Kubeja është e ndërlidhur me dy gjysëmkube nga lindja dhe perëndimi, ndërsa dy navata ndihmëse me galeritë e tyre janë të mbuluara me 5 kupolla përmasash të ndryshme. Këto karakteristika konceptuale të manifestuara në këtë objekt, e vënë Sinanin arkitekt që gjendet në një fazë të pjekurisë së plotë si konstruktor, njohës të materialeve, të dritave dhe të akustikës, por edhe si dekorator virtuoz. Në këtë drejtim shquhen sidomos mihrabi dhe mimberi i xhamisë, që janë skalitur në mermer të bardhë, dritaret e stolisura me qelq shumëngjyrësh, sipërfaqet e mbuluara me fajancë si dhe dyert e zbukururara me sedefe dhe fildish.
Xhamia Sylejmanije ka një stil magjeps; 64 poçe argjile të gjata 50 cm, të vendosura kokë poshtë, bëjnë që zëri i imamit të tingëllon për mrekulli. Një dhomë e vogël e cila ndodhët mu mbi hyrjen kryesore të xhamisë, akumulon tymin i cili buron nga kandilët e mëdhenj dhe llambat vajguri. Tymi largohen me anë të një flladi shumë të lehtë që qarkullon brenda xhamisë. Ndërkaq, oborri i xhamisë është i rrethuar me arkada kubelike ku janë vendosur 24 shtylla prej mermeri të bardhë dhe graniti të kuq, që majnë 28 kube. Në mes të oborrit (të brendshëm) gjendet një fontanë kënddrejtë.
Ndërtimi kishte zgjatur shtatë vjet gjatë së cilave 164 libra llogarie qenë mbajtur për të evidentuar se ku janë shpenzuar secila nga 996,300 monedha ari të ndara për gjithë projektin.
Më 1574, kur Mimar Sinani kishte mbushur 84 vjet, po përfundonte Xhaminë e Sulltan Selimit II në Edrene. Kjo xhami cilësohet kryevepër e arkitekt Sinanit dhe njëra nga vepra më të vlefshme dhe më të arrira të arkitekturës osmane. Vet Sinani këtë xhami e quante kryevepër të tij. Planimetria e këtij objekti madhështorë bazohet në oktogon (8këndësh) dhe në këtë mënyrë ndryshon nga të gjitha të tjerat. Kubenë qendrore, me diametër prej 33 m. me profil sferik, e mbajnë 8 shtylla të fuqishme. Tetë harqet polikromike që ndërlidhin shtyllat, spikasin aq bindshëm konceptin konstruktiv të autorit. Organizimi i brendshëm është bërë në atë mënyrë që mihrabi (vendi ku falet imami) të shihet nga çdo vend brenda xhamisë. Edhe nga ana e jashtme të gjitha pjesë e xhamisë i nënshtrohen kubesë së fuqishme qendore, duke u ndarë në katër breza kurorash me kube dhe me dritare të shumta. Këtë simetri dinamike edhe më shumë e spikasin katër minaret e njëjta, të cilat me një elegancë të jashtëzakonshme lartësohen mbi kubenë qendore me fuqinë e një brimi eruptiv në lartësi prej 70,89 metra. Dy minaret e xhamisë janë absolutisht magjepse: edhe pse janë tri shkallë gjarpërore që çojnë tek secila dalje (sherife), një person i cili ngjitet në njërën nga sherifet nuk ka mundësi, nga asnjë pikë gjatë ngritjes, të shoh dikë tjetër që është duke u ngjitur në minaren tjetrën. Shkallët janë të përdredhura në mënyrë aq delikate sa që matematikanët me kompjuterë modern kanë vështirësi të llogarisin formulat lineare të nevojshme për këtë objekt.
Gjatë rrethimin bullgar të Edirnes në 1913, kubet e xhamisë u goditën nga artileria bullgare. Për shkak të ndërtimit jashtëzakonisht të guximshëm të kubesë, xhamia i mbijetoi sulmeve vetëm me disa dëme të vogla të cilat u riparuna më vonë. Kjo ndërtesë madhështore është një mrekulli e butësisë dhe elegancës.
Ai pat shkruar për “Selimijen”: ‘Gjithë energjinë time e kam përqendruar në Xhaminë Selimije. Kam menduar të shfaqi krejt talentin tim (ashtu që) edhe sikur gjithë arkitektët dhe inxhinierët e ndërtimtarisë të bashkoheshin, nuk do të mund të prodhonin një kryevepër të tillë arti.’
Sinani ndërtoi kuben me dimensione marramendëse me qëllim që t’ia kaloj asaj të Aja Sofias: është përafërsish 5 metër më e lartë dhe 3.5 metër më e thellë. Arsyeja e thjeshtë për këtë rivalitet ishte se disa arkitekt arrogant në mesin e të krishterëve patën deklaruar se një kube nuk mund të ngrihet në botën Islame aq e madhe sa ajo që ata kishin ngritur mbi Aja Sofinë. Ata ndiheshin krenar nga çka kishin arritur duke pretenduar madje se një kube e tillë do të ishte paraprakisht e pa mundur të ndertohet përsëri. Në fund, Sinani jo vetëm se iu kundërvu asaj që ishte arritur para tij, por edhe e tejkaloi atë, me një margjinë shtesë si në aspektin inxhinierik ashtu edhe në atë artistik: rrezja e kubes së xhamisë Selimije është 31.5 metër, përderisa pesha e saj është 2.000 tonë.
Deri në kompletimin e Selimijes, për shtatë vjet rresht, ditë e natë, kanë punuar 400 mjeshtër dhe 14.000 punëtorë. Gjithsej në projekt u patën shpenzuar 28.000 qese ari.
Disa monumente të tjera
Nën drejtimin e arkitekt Sinanit u ndërtuan rreth 400 vepra mbrojtëse të rëndësishme nga Meka e deri në Krime e në Vjenë që i kanë rezistuar kohës dhe që njihen të projektuara e të ndërtuara prej tij. Për talentin dhe punën kolosale, Sinani u quajt Koxha Sinan (Sinani i Madh), emërohet Kryearkitekt i Perandorise Osmane dhe punon në Oborrin e Sulltanit.
Sipas analeve historike, Sinani pat organizuar dhe mbikëqyrë ndërtimin e disa godinave publike në Perëndim në emër të Sokullu Mehmet Pashës në Bosnjë. Vepra më e rëndësishme e Sinanit, është Ura e Mehmet Pashës e gjatë 180 metër mbi lumin Drin. Në Greqi po ashtu ndodhet një xhami e dizajnuar nga Sinani, e ndërtuar për Osman Pashën. Në Budin, kryeqytetin e Hungarisë së atëhershme, Sinani ndërtoi një xhami tjetër, kjo e financuar nga Mustafë Pasha.
Në Mekke, Qabeja u zgjerua sipas planit të Sinanit: së pari shtyllat qenë vendosur nëpër vende e më vonë edhe minaret. Në qendër të qytetit, kishte një numër godinash, përfshirë edhe një banjë turke dhe një universitet, atribuuar Sinanit. Ndërtimi i xhamisë dhe kështjellës në Vlorë përqaset me ardhjen e Sinanit dhe ushtrisë turke në Vlorë (sipas Evlija Celebiut), në mesin e shekullit të 16-të.
Natyrisht, kryeqyteti perandorak, Stambolli, gëzonte vëmendje të veçantë nga Sinani. Ai zgjidhi problemin e ujit të pijshëm dhe transportit, si dhe dizenjoi sistemin e kanalizimit të qytetit. Ai konstruktoi rrugë e ura; krijoi flotën ushtarake detare dhe ndërtesat e saj; ai restauroi dhe rinovoi kështjella; ai ndërtoi rubinete publike, diga si dhe kanale lumi; ai gjithashtu ndërtoi hane, shkolla, spitale, konvikte e kështu me radhë.
Ai restauroi xhaminë e Aja Sofisë dhe e meritoi, në çdo aspekt, që emri i tij të skalitet në faqet e arta të historisë Osmane dhe qytetërimit Islam. Ishte kontributi i tij që Kostandinopoja, qendra e Perandorisë Romake të Lindjes, u shndërrua në një qytet madhështor Islamik, Stamboll, si kryeqytet dhe qendër e Islamit. Ura Büyükçekmece në Stamboll është më e madhe e punës së tij në këtë grup dhe se është gati 635 metra gjatësi. Ura Silivri (Stamboll), Ura Sokullu Mehmet PASA (mbi lumin Lüleburgaz Viegrad), Ura Sinanlı (mbi lumin Ergene) dhe Ura mbi lumin Drin, janë të gjitha vepra të tij.
Ëndrren e perandorit Justinian për furnizimin me ujë të Kostadinopojes (Stambollit) e bëri realitet Arkitekt Sinani pas 900 vitesh. Ai projektoi dhe ndërtoi ujsjellësin e parë për furnizimin me ujë të Stambollit me 40 kroje. Ai nuk shkëlqeu vetëm në art, por edhe duke aplikuar aftësitë e tij dhe teknikat për planifikimin e qytetit. Duke pasur parasysh se nuk ka asgjë më të natyrshme se një monument i harmonizuar me mjedisin, ai ndërtoi xhami të mëdha në vendet më të përshtatshme, në mënyrë që të mund të shihen nga të gjitha anët me madhësinë e tyre. Nga artitektët modern të ditëve tona, puna e Sinanit vlersohet për përdorimin e lartë të gurit dhe për akustikën e objekteve. Tyrbet dhe urat e ndërtuar nga Sinani menjëherë dallohen si të tijat.
Mihrimah-sultan, dashuria e madhe e Arkitekt Sinanit
Arkitekt Sinani u dashurua marrëzisht me Sulltan Mihrimanin, së cilës zjarri i dashurisë ia pushtoi zemrën, vetëm atëherë e bija e Roksollanës e kuptoi ndjenjën më të lartë të dashurisë. E përmendur për inteligjencën natyrale në mënyrë që ta përcillte sa më bukur ndjenjën e dashurisë, ajo u përkushtua artit të pikturës – por pikturës mbi ujë –të quajtur ebru. Jeta e saj ishte si pikturat që bënte mbi sipërfaqe – disa figura vetëm i prekte, të tjerat shkriheshin. Pikturat e saj ishin plot me dashuri për Arkitekt Sinanin, por edhe me vuajtje, me ndrydhje të shpirtit që pikonte lot…
Vajza e vetme e Sulltanit të madhërishëm-Mihrimah, mbetet në hijen e nënës së saj të famshme- ish skllaves Roksollana, e cila hyri në historinë e Turqisë si bashkëshortja e pabindur e perandorisë Osmane. I ati Sulltani Sulejmani i madhërishëm e quajti “Mihrimah Trëndafili i Perandorisë Osmane”. Por Sulltana e ndriçoi historinë e perandorisë si një personazh shumë i rëndësishëm- si një grua me një finesë të dukshme, tepër elegante dhe shumë e ndryshme nga nëna e saj.
Emrin Sulltanës ja vuri vetë Sulejmani, emri Mihrimah përmban Diellin dhe Hënën: i ati Sulejmani simbolizon diellin, që ndriçon tokën, ndërsa e ëma Hyrjem (lindur në stepat e Ukrainës në familjen e famulltarit e quajtur Roksollana) – ndriçon natën me dritën hënore.
Vajza e vetme të cilën Sulltani e donte veçanërisht më shumë se fëmijët e tjerë, e mbante shumë afër dhe kujdesej shumë për të, por ajo ndjehej si ai zogu i ndrydhur në kafaz, në pallatin e madh në Topkapë. Mihrimah nga karakteri nuk i ngjante as të ëmës dhe as të atit, nuk trashëgoi nga Sulejmani si ndjenjën e shfrenuar të pushtetit por as makutërinë e të ëmës së saj.
Duke qenë vajza e Sulejmanit të Madhërishëm ishte e detyruar të ndiqte me zemër të thyer të gjitha ritualet e rënda të perandorisë Osmane, si fundin tragjik të vëllezërve të saj në luftën e pamëshirshme për fronin e Sulltanit. Por edhe rituale të tjera që ishin jashtë natyrës së saj. Mihrimani ishte me karakter të butë dhe e ndjeshme, i donte shumë njerzit e familjes si hallat e saj, kushurinjtë dhe vëllezërit e saj. Ishte më e lidhur me të atin se sa me të ëmën, ishte shumë e dhënë pas artit dhe kulturës.Në vitin 1539 Mihrimani ishte 17 vjeç dhe e ëma vendosi ta martojë me një burrë me diferencë moshe shumë të madhe, ai ishte Rustem Pasha, të cilin ajo nuk e donte dhe nuk e deshi kurrë.
Me zemër të thyer ju bind rregullave të rrepta të perandorisë. Martesën e saj ato e quajtën si një xhest mirësie të Roksallanës ndaj pashait të madh të perandorisë, të cilin Sulltani e kishte zgjedhur për dhëndër. Ai ishte i përzgjedhuri i familjes së madhe, ata i falën skllaven e mençur e të bukur dhe të re zotit të saj të ligjshëm. Rusja nuk harroi sakrificën e të bijës për humbjen lirisë dhe të drejtës për të dashuruar, që t’ia çonte pashait plak. E merrni me mend shtypjen që shkaktoi në shpirtin e një vajze fare të re kjo martesë e imponuar.
Por faktet historike burimore tregojnë një të fshehtë shumë interesante, në atë kohë Bullgaria si shumë shtete të tjera të botës ishte pushtuar nga perandoria turke. Ishte viti 1558, 160 vjet pas pushtimit të turqve, vendi i quajtur Strellca, i famshëm për burimet e shumta me ujë mineral, u bë pronë e të bijës së Sulltanit të madhërishëm si dhuratë e tij personale për vajzën Mihrimanin e shtrenjtë. Këtë fshat të bukur ia kishte bërë dhuratë Sulltani Mihrimanit për martesën.
Ndërsa Rustem pasha si vakëf përfitoi vendin e quajtur Arbanas (që ishte populluar nga shqiptarë). Me të ardhurat e këtyre vakëfeve dhe vakëfeve të tjera çifti filloj të merrej me bamirësi si dhe me aktivitete kulturore.
Mihrimani porositi shqiptarin e famshëm në të gjithë perandorinë arkitekt Sinanin – që ishte arkitekti kryesor i perandorisë, të ndërtonte ndërtesa të veçanta. Sipas urdhrit të saj ai ndërtoi xhaminë e quajtur “Mihrimah xhamija” në Odrin, “Iskile xhamija” në Stamboll dhe shumë imarete (ambjente bamirësie, strehëza ku shpërndahej ushqim falas për të varfërit dhe të pastrehët).
Arkitekt Sinani ka ndërtuar edhe xhaminë e madhe që gjendet në qendër të Sofjes.
Por një dashuri e zjarrtë ja pushtoi zemrat dy të rinjve.
Arkitekt Sinani u dashurua marrëzisht me Sulltan Mihrimanin, së cilës zjarri i dashurisë ja pushtoi zemrën, vetëm atëherë e bija e Roksollanës e kuptoi ndjenjën më të lartë të dashurisë. E përmendur për inteligjencën natyrale në mënyrë që ta përcillte sa më bukur ndjenjën e dashurisë, ajo u përkushtua artit të pikturës – por pikturës mbi ujë –të quajtur ebru. Jeta e saj ishte si pikturat që bënte mbi sipërfaqe – disa figura vetëm i prekte, të tjerat shkriheshin. Pikturat e saj ishin plot me dashuri për Arkitekt Sinanin, por edhe me vuajtje, me ndrydhje të shpirtit që pikonte lot…
Por çfarë thonë kronikat e asaj kohe për dasmën e të mirës e të bukurës Sulltan Mihrimanit dhe Rustem pashës.
Siç e përmenda edhe më lart ajo ishte pika e dobët e Sulejmanit të Madhësishëm. Dasma e tyre ishte me të vërtetë si në përrallat e njëmijë e një netëve e pa imagjinueshme. Për vite me radhë tregohej e tregohej për këtë dasmë të rrallë. Njerëzit e tregonin si përrallë, për të ftuarit e mrekullueshëm, për kalorësit e zbukuruar por edhe kuajt i kishin zbukuruar si njerëzit, për kostumet e verdha me të kuqe të jeniçerëve, pjesa ku ishin të ftuara vetëm vajzat zbukuruar me qirinj shumë ngjyrësh të gjata sa selvia me kurora prej lulesh ngjyra- ngjyra, po veshjet e tyre të mahnitshme, ndërsa për njerëzit e rritur kënaqeshin duke ja treguar fëmijëve dhe nipërve të tyre dhe kështu rrëfimi shkonte brez pas bezi. Karroca e çiftit të sapo martuar ishte e mbuluar me tyl mëndafshi nga të dyja anët, tërhiqej nga katër kuaj të bardhë, provokonte një marramendje të vërtetë.
Dhurata pa fund nga e gjithë bota, pallto dhe gëzof me lëkura nga kafshë të rralla, bizhu me gurë të çmuar, djamante, ar, zjarre, fishekzjarre deri në mëngjez, bakllava, ëmbëlsira nga gjithe bota, byreqe nga më të ndryshmet, ushqim për të gjithë. Kjo ceremoni u mbajt mend shumë gjatë jo vetëm në Stamboll por edhe nëpër qytete të tjera të Turqisë.
Akrobat dhe cirk, zhonglerë apo magjistarë të ardhur enkas nga shumë vende të botës që mahnitën popullin me numrat e tyre artistike. Këngëtarë, valltarë, orkestra të shumtë mbetën në mendjen e popullit turk për një kohë shumë të gjatë. Pleqtë u tregonin nipërve dhe mbesave se si dyzetë ditë dhe dyzetë netë vazhduan festimet dhe ceremonia e martesës së Mihrimanit të mjerë .
Të tjerët për Sinanin
Me punën e tij, ai i dha tonin edhe vuri themelet e arkitekturës osmane. I ndryshoi faqen Stambollit dhe gjithë Perandorisë me ndërtimet e famshme islame, rrugëve, urave, ujsjellësve e shumë ndërtimeve infrastrukturore në tërë Perandorinë, prandaj me të drejt për të kanë thënë:
Arkitekti dhe historiani i njohur gjerman, Prof. Ernest Dier pat thënë për të: ‘…”Selimije” qëndron mbi gjitha monumentet arkitekturore në botë për nga pikë vështrimi i madhësisë, lartësisë, veçorisë dhe shkëlqimit”.
Një komentues tjetër evropian shpreh admirimin e tij me këto fjalë: “Ky objekt nuk është nga dora e njeriut, por një vend për adhurim hyjnor i zbritur nga qielli”.
Frank Llojd Vright, një nga arkitektët më të mirë të kohës sonë shkroi në librin e tij: “Dy arkitektë kanë ardhur në tokë. I pari është arkitekti osman Sinani, kurse tjetri jam unë vet. Sinani ishte kohanik i italianit Mikelangjelo dhe britanikut Christopher Wren. Përderisa plasaritjet e kubes, të ndërtuar nga Mikelangjelo vazhdojnë të riparohen me rrathë hekuri nga farkëtarët e Romës, tempujt e Sinanit do të qëndrojnë ende të tillë deri në Ditën e Fundit”.
Jeta e tij në shërbim të shoqërisë
Ai posedonte 77 prona, 40 nga të cilat ishin shitore, hane dhe banjë turke. Para se të vdiste, ai themeloi dhe financoi një vakf (trust bamirësie) duke porositur në testamentin e tij që shtëpia në të cilën kishte jetuar të shndërrohet në shkollë, nga gjashtë akqe (monedhë e vjetër) në ditë t’i ipen mësuesve të shkollës, kurse jetimëve dhe të vejave t’u ipet veshmbathje, dru dhe qymyr për nxemje. Sipas testamentit vetëm një përqindje e vogël e të hyrave të trustit i takonte familjes së tij. Ai gjithashtu dëshiroi që një e tridhjeta e Kuranit të lexohet çdo ditë për shpirt të tij dhe një akqe të jepet për të shpërblim.
Sikurse mund të mësojmë nga biografitë e shkruara për të, na del se ai ishte një njeri tejet bujar. Për çdo ditë, afër njëzet deri në tridhjetë njerëz ushqeheshin nga ai.
Në vulën e Sinanit shkruante: “Sinani i vobektë, shërbëtori modest”.
Na duhet të përmendim gjithsesi se arkitekt Sinani jo vetëm se ishte një humanist i rrallë, por ishte edhe mësues i denjë, duke pasuar dijen e tij tek qindra arkitektë e mijëra kryemjeshtër.
Vdekja e tij
Sinani ishte më i madhi i të gjithë arkitektëve osman dhe karrierën e tij u shtri në pesëdhjetë vite. Ai vdiq në Stamboll, një natë vere në vitin 1588 në moshën 97-vjeçare, duke lënë pas vete në këtë detyrë të lartë dy nga nxënësit e tij me origjinë shqiptare: Arkitekt Mehmet Sedefqarin nga Elbasani, autori i “Xhamisë Blu” po në Stamboll dhe më pastaj arkitekt Kasemi nga Tomorrica e Gramshit. Thuhet se para se të vdiste, kishte shqiptuar këto fjalë: “O Allah, ti je dëshmitar se e tërë ajo që kam bërë është për hir Tëndin. O Allah, kërkojë nga Ti të më lejosh në xhenetin Tënd për të gjithë atë që kam bërë për Ty”.
Admirimi i veprës së Mimar Sinanit
Sinani u shërbeu katër Sulltanëve dhe ishte thellësisht i admiruar dhe çmuar nga të gjithë.
Sot veprat e Arkitekt Sinanit godinat historike, urat, hanet, shkollat, gjenden dhe admirohen në tri kontinente: në Evropë, Azi dhe Afrikë, të cilat mbijetojnë deri në këtë kohë, disa nga to janë në përdorim madje edhe sot.
Për Arkitekt Sinanin dhe kontributin e tij në fushën e ndërtimeve dhe të arkitekturës janë shkruar mbi 1000 libra. Në to përshkruhen veprat madhore, që ai projektoi e ndërtoi.
Ky arkitekt la në trashëgimi rreth 400 vepra arti dhe të gjithë artistët e renesancës Italiane mësuan nga ai. Puna e tij është cilësuar si “kulminacion i punës me gurë”, ndërsa kubetë e xhamive të tij, si shembujt më të mirë të akustikës në ndërtim. Evropianët, Sinanin e krahasonin me Mikelangjelon dhe e thërrisnin “Mikelangjeloja i Orientit”.
Veprat e tij, në ish-hapsirën osmane, janë tashmë vepra dhe vlera të gjithë njerëzimit. Gjermanët nuk sulmuan Stambollin gjatë luftës së Dytë Botërore nga frika e shkatërrimit të artit të tij të bukur.
Rreth 15 milionë turistë në vit vizitojnë Turqinë, ndërsa tre pikat më kryesore që vizitohen janë Porta e Lartë (Pallati i Sulltanit), Sulejmania hijerëndë, pra xhamia e Sinanit dhe Xhamia Blu, vepra e Mehmet Sedefqarit.
Për nder të tij, Fakulteteti i Artave të Bukura në Stamboll mbanë emrin e tij.
Në Shqipëri me emrin e tij është e lidhur edhe xhamia në qendër të Vlorës dhe me një kështjellë, rrënojat e së cilës ndodhen në vendin ku aktualisht gjendet stadiumi “Flamurtari”.
Që në të gjallë të tij, qendra tregtare, pronë e trashëguar prej tij në krahinen e Lopësit u emërtua “Hani i Sinanit”. Për nderë të tij edhe fshati mori emrin “Sinanaj”.
Ky ishte Mimar Sinani, një arkitekt dhe një gjeni që mban mbi vete një meritë të një pjese të rëndësishme të kulturës dhe qytetërimit osman. Ky shqiptar i madh, të cilin ndonëse janë rrekur të na e mohojnë, si çdo privim tjetër vetëm se ne na bën më krenar dhe më të bindur në vlerat dhe vitalitetin krijues dhe shpirtin e madh që karakterizon arbërit.