Armatimi dhe uniformat e konfiskuara gjatë bastisjeve pas shpërthimit në Ibër-Lepenc

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me AKI-në dhe pas hetimeve intensive, kanë realizuar sot në mëngjes aksion në dhejtë lokacione, duke arrestuar tetë persona të dyshuar, shkruan Gazeta Express.

“Ky sulm terrorist s’është një sulm i rëndomte, i organizuar nga grupe dhe organizata profesioniste për kryerjen e sulmeve terroriste që shkaktojnë dëme të mëdha të infrastrukturës publike”

“Pas hetimeve intenzive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona të dyshuar në stacion policor si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në”, ka thënë ministri Sveçla.

“Kemi konfiskuar arsenal armësh dhe uniforma me emblema e pajisje ushtarake që do të shërbejnë si dëshmi relevante”, ka treguar ai.

Ministri i Brendshëm ka treguar se Kosova e bën përgjegjëse Serbinë për sulmin e ndodhur.

“Janë sulme të dirigjuara nga Serbia dhe ne mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, ka thënë Sveçla.

“Sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës”, ka shtuar ai.