Presidenti Aleksandër Vuçiç, përmendi armatosjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës, si kërcënim për sigurinë e Serbisë, gjatë fjalimit të mbajtur me rastin e 125-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Siguri dhe informacion. Sipas Vuçiç, sulmi në Banjskë tregoi në një njërën anë shkelje të Kartës së OKB dhe Rezolutës 1244 dhe nga ana tjetër represionin ndaj të gjithë atyre që rebelohen kundër shkeljeve.
“Na sjellin policë të cilët nuk lejohen të jenë në “Veriun e Kosovës”. Ata po armatosin ato që i quajnë forcat e sigurisë, duke i kthyer në një ushtri. Gjithçka në kundërshtim me Rezolutën 1244. Popullsia u rebelua. Rrihni, arrestoni, vrisni të gjithë serbët sepse guxuan të mbronin Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e tyre. Dhe kështu është çdo herë. Dhe kështu do të jetë çdo herë sepse forca e të gjithëve është shumë më e madhe se e jona. Por është e pabesueshme që një numër i vogël njerëzish, duke përfshirë edhe pjesëtarë të BIA, arritën t’i dallonin lojërat e tyre”, u shpreh presidenti serb, raporton A2.
Vuçiç shtoi më tej se jetojnë në një kohë sfidash të mëdha, kur presionet nga jashtë dhe brenda vendit janë duke u rritur.
“Ata duan të devijojnë rrugën e Serbisë në drejtimin që sipas tyre është i duhuri. Por për ne rruga e vetme , është ajo e Serbisë”, ishin fjalët e Vuçiç. Ai vlerësoi rolin e BiA, në mbrojtjen e lirisë, shtetësisë dhe integritetit të vendit.