Arratiset i dënuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

I dënuari me 10 vjet burgim për përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovqi, Marko Roshiq është arratisur.

Këtë ia ka konfirmuar KOHËS zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani.

“Po. E ke konfirmimin që më 28 qershor ka ikur. Edhe ai nuk ka qenë në burg”, ka deklaruar Elshani.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Roshiq, avokati Mahmut Halimi tha për “Betimi për Drejtësi” se nuk është parë dhe dëgjuar me të, por nga mediat ka kuptuar se është arratisur.

“Unë sa e kam kuptu prej mediave ai është arratisë, as nuk jam pa as nuk jam ni me ta”, ka deklaruar Halimi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vjet burgim së bashku.

Në shpallje të aktgjykimit, gjykatësi Valon Kurtaj kishte deklaruar se me aktvendim të veçantë, Roshiqit do t’i caktohet masa e paraburgimit.