Arratisja e Enver Sekiraqës, deklarohet avokatja e tij

Dje Policia e Kosovës e konfirmoi arratisjen e Enver Sekiraqës.

Lidhur me rastin ka folur edhe avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.

Kelmendi tha se këtë nuk mund ta konsideron si arratisje.

Ajo deklaroi se për rastin informacionet i ka marrë nga portalet.

“Unë personalisht nuk mund ta quaj dhe konsideroj arratisje për faktin se i njëjti ka qenë në liri dhe ai nuk ka qenë i obliguar ta pres në shtëpi një vendim të Apelit në cilindo variant. Tani, fakti që policia sot nuk e kanë gjetur në shtëpi, kjo nuk është kontestuese, por, a është arratisur apo për momentin nuk ka qenë në shtëpi dhe ka mundësi të kthehet apo paraqitet, unë ketë nuk e di meqë nuk kam informacion, meqë është fjala për 24 orët e para pas vendimit të Gjykatës se Apelit. Kjo mbetet të shihet tutje”, tha Kelmendi.

“Unë si mbrojtëse e të akuzuarit Enver Sekiraqa, i cili deri dje me datën 17.05. 2024, ka qenë i lirë pas shpalljes së aktgjykimit, kam pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit duke u aprovuar ankesa e Prokurorit Special. Nga portalet kam kuptuar se i akuzuari nuk ka qëlluar në shtëpi me rastin e kërkimit sot nga ana e policisë”, deklaroi ajo.