Arrestimi në Merdare i një ish-ushtari të UÇK-së, MPJD del me njoftim

Sot është arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj në Merdare nga policia serbe.

Ish-ushtari i UÇK-së u arrestua gjatë kohës sa po kalonte kufirin për të shkuar në Itali së bashku me vëllanë e tij.

Pas kësaj Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës ka dal me deklaratë, ku thuhet se kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e ShBA-së dhe atë të Britanisë së Madhe.

“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”, thuhet në njoftim.

MPJD thotë se dënojnë ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje në njoftim.

MPDJ ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë zyrtarë autoriteteve serbe për ta lejuar ambasadorin Jashari që ta vizitojë të arrestuarin Hasani.