Arrestohen katër gazetarë të revistës satirike turke “LeMan” në Turqi, publikuan vizatimin e profetit Muhamed

Katër punonjës të revistës satirike turke “LeMan” janë arrestuar pas publikimit të një vizatimi që duket se e shfaq profetin Muhamed, një akt që është ndaluar sipas ligjeve të Islamit.

Ministeri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Yerlikaya, e dënoi vizatimin, duke e quajtur atë “të paturpshëm”, ndërsa njoftoi se janë arrestuar kryeredaktori, dizajneri grafik, drejtori institucional dhe karikaturisti i revistës.

Në një postim në rrjetin X, revista “LeMan” mohoi se vizatimi ishte një karikaturë e profetit Muhamed, duke theksuar se “vepra nuk i referohet profetit Muhamed në asnjë mënyrë”.

Ky incident ka shkaktuar protesta të mëdha në Stamboll, ku qindra njerëz janë grumbulluar përpara zyrave të revistës dhe kanë brohoritur slogane si “dhëmb për dhëmb, gjak për gjak, hakmarrje, hakmarrje”. Për të shpërndarë turmën, policët kanë përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës, raporton AFP.

Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, njoftoi se është hapur një hetim për “fyerje publike të vlerave fetare”. Ai theksoi se, “Karikatura ose çfarëdo forme e paraqitjes pamore të profetit tonë jo vetëm që i dëmton vlerat tona fetare, por gjithashtu e dëmton paqen shoqërore”. Ai gjithashtu paralajmëroi se “hapat e nevojshëm ligjorë do të ndërmerren pa vonë” kundër revistës “LeMan”.

Në përgjigje të situatës, ministri Yerlikaya publikoi video që tregojnë arrestimin e katër punonjësve të revistës dhe njoftoi se janë lëshuar urdhërarreste edhe për anëtarë të tjerë të menaxhmentit të saj.