Ministri i Brendshëm në dorëheqje, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se është arrestuar edhe një nga të dyshuarit për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it në protestat e 29 majit të vitit 2023 në Zveçan.
Xhelal Sveçla ka shkruar në Facebook se presin që drejtësia të veprojë pa asnjë kompromis ndaj tij.
“Asnjë kriminel e terrorist nuk do ta ndjejë lirinë për aq kohë sa ka cënuar rendin tonë kushtetues, punën e institucioneve tona, detyrën e zyrtarëve tanë e personelit ndërkombëtar. Mbi ta do të veprohet pa asnjë kompromis siç presim që edhe drejtësia të veprojë në linjë të tillë”, ka shkruar Sveçla, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, Republika e Kosovës, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë “kurrë zonë e rehatisë për kriminelë e terroristë”.
Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën në fund të majit të vitit 2023, kur protestat e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë të komunave u shndërruan në përleshje të dhunshme.
Për këto sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it ka pasur reagime nga institucionet vendore, NATO dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në Kosovë, janë arrestuar disa persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.