Një anije italiane me 16 migrantë ka zbarkuar të mërkurën në portin e Shëngjinit në Shqipëri, duke regjistruar grupin e parë të migrantëve që autoritetet shqiptare kanë pranuar t’i strehojnë.
Në anijen Libra, të nisur nga porti i Lampeduzës, është thënë se janë 10 migrantë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, të cilët janë shpëtuar në det, pas nisjes nga Libia.
Kjo marrëveshje e arritur mes dy vendeve në nëntor të vitit të kaluar – e kritikuar nga organizatat për të drejta të njeriut – parasheh që për periudhë pesëvjeçare, Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre migrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka përshkruar marrëveshjen me Shqipërinë si zgjidhje innovative për një problem afatgjatë.
“Është një rrugë e re, e guximshme, e pashembullt, por që reflekton në mënyrë perfekte shpirtin evropian, dhe i ka të gjitha parakushtet e një rruge që duhet ndjekur edhe me shtetet që nuk i takojnë BE-së”, ka thënë Meloni të martën para deputëteve italianë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se të martën se shteti i tij ka refuzuar shumë kërkesa që i janë bërë prej shteteve evropiane për të pranuar refugjatë, por e ka bërë një përjashtim për Italinë.
Ai ka thënë se Shqipëria ndjen mirënjohje që Italia ka pranuar dhjetëra mijëra shqiptarë gjatë rënies së komunizmit, më 1991, si dhe për ndihmën që ka ofruar Roma në krizën ekonomike të vitit 1997, dhe pas tërmetit të vitit 2019.
Sipas marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.
Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të migrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra më larg, objekt i dikurshëm i aeroportit ushtarak, do të shpërbëjë për strehim të migrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.
Italia ka pranuar t’i strehojë migrantët që fitojnë azilin. Ata që nuk fitojnë azilin, do të dëbohen direkt prej Shqipërisë.
Kjo marrëveshje është përkrahur nga shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen si shembull si dalje nga kornizat në zgjidhjen e problemit me migrantët në BE.
Grupet për të drejta të njeriut mendojnë ndryshe.
Elisa de Pieri nga organizata ndërkombëtare, Amnesty International, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se plani është kritikuar sepse shkel të drejtat e njeriut dhe “pavarësisht sa do të tentohet që zbatimi të shkojë rrjedhshëm” do të bëhen shkelje, duke përmendur ndalimin automatik, prej momentit që dikush kapet në det, e derisa të shkojë në Shqipëri.
Ajo ka thënë se është shumë zhgënjyese që Komisioni Evropian se e sheh këtë si rrugë të mirë përpara.
“Nuk është risi. Shumë shtete i kanë provuar këto mënyra të bartjes së përgjegjësisë së kujdesit për refugjatë dhe migrantë te shtetet që janë në përgjithësi më të varfra”.
Numri i migrantëve që arrijnë në Itali përmes rrugës së Mesdheut ka rënë për 61 për qind më 2024, në krahasim me një vit më parë.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, deri në 15 tetor, 54.129 migrantë kanë arritur në Itali këtë vit, në krahasim me 128.947 migrantë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar./REL