Nga Ilir Muharemi
Shumica e skulpturave të vendosura nëpër hapësirat e Kosovës janë me shije të ulëta, cilësi të cekët dhe qesharake. Këto unë i quaj antiskulptura që vlerësohen si antiart ose Kitsch. Deri para disa vitesh ishte mungesa e kritikës së sinqertë andaj vazhdoj të shumohej kjo tragjikomedi. Disa nga këta skulptorë mundohen t’i thyjenë kanunet dhe rregullat akademike e skulpturat e tyre po dalin shumë qesharake, të pamenduara.
Nën çfarë ombrelle janë skulpturat nëpër sheshet tona? Në Shqipëri i kemi të realizmit socialist të veshura në thonjëza me “plastikën” e të madhit Roden, ndërsa në Kosovë të një niveli amatoresk e qesharak ose fyerje ndaj figurave të heronjëve. Skulptorët nuk do t’i fajësoja, por komisionet të cilat janë nën autoritetin e pushtetit e andaj, kritikët, artistët dhe qytetarët e thjeshtë këto i shumëzojnë me jo vlera dhe kanë të drejtë.
Shtrohet pyetja pse mungojnë te ne shtatoret e figurave ilire? Kemi mjaftë mbretër ilirë dhe ata nuk duhet t’i kopjojmë si skulpturat e Rodenit, soc realizmit, por me përmasa bashkëkohore duke ruajtur origjinalitetin e karakterit dhe madhështisë. Pasi ne pohojmë se në histori e arkeologji njohim thellësisht paraardhësit tanë, përse të mos i krijojmë edhe në Kosovë? Frika vjen nga ajo se cilët skulptorë do t’i realizonin ose nëse do të fillonin mund të përshkohen me kitsch, jo vlera dhe tallje me figura ilire. Nuk po kërkoj t’i mbushim sheshet me mbretër ilirë, por duhet të tregojmë respekt për mbrëtrit tonë.