Njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, i njohur si FIT ka mbajtur një protestë të mërkurën (1 nëntor) para Qeverisë së Kosovës. Ata shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj propozimit të qeverisë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë.
Përveç kësaj ata paralajmëruan edhe një protestë tjetër, por kësaj herë dyshohet se ata u kërcënuan me masa ndëshkuese në rast se marrin pjesë në protestën e dytë me radhë, e cila është paraparë të mbahen nesër (e martë, 7 nëntor).
Në redaksinë e Insajderit ka arritur një audio-incizim ku sipas burimit dëgjohet njëri prej eprorëve të Njësisë Speciale duke i kërcënuar.
“..Mirëpo prapë se prapë unë po them një sen, ata që kanë vendos ose ata që mendojnë që interesat e tyne përfaqësohen më mirë përmes protestave, ata le të dalin në protesta unë nuk i ndali edhe për veprimet që i marrin japin përgjegjësi për vete, mirëpo ata kemi me i evidentu edhe kemi me pa se qysh ka me shku puna tutje me ta”, dëgjohet duke iu thënë i njëjti, pjesëtarëve të kësaj njësie.
Gazeta Insajder, me të pranuar audion ka kërkuar përgjigje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha për të parë nëse është në dijeni për këto kërcënime, por i njëjti deri në këto momente nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërkohë, Qeveria Kurti ka prezantuar shtesat për njësitë elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt), janë nga 150 euro shtesë pagës bazë.