Shefi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin ndodhet në Minsk siç ka njoftuar Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, me Putin që i qëndron korrekt marrëveshjes së tij me mercenarët.
Me Prigozhin në ekzil, kompania e tij mercenare po shpërbëhet por ai me sa duket ka shumë para dhe resurse për t’u rikthyer edhe njëherë i fuqishëm.
Komandanti i pamëshirshëm i luftës, i cili udhëhoqi një rebelim të armatosur kundër Vladimir Putin gjatë fundjavës vlerësohet të jetë një ndër miliarderët e Rusisë, pasi zotëron një jaht të madh, një aeroplan privat dhe jeton në luks.
Zyrtarët britanikë pranojnë se financat e grupit vicioz Wagner janë “të errëta dhe të paqarta”, por sipas tyre Prigozhin i fiton paratë e tij nga kontratat e dyshimta të qeverisë dhe burimet natyrore.
Grupi Wagner po ashtu plaçkit diamante, ar, naftë dhe gaz nga vendet në të cilat operojnë si dhe paguhet drejtpërdrejt nga regjimet e shtrembëta për “punë e tyre të pista”.
Këto përfitime kanë fryrë pasurinë e Prigozhin në nivele të jashtëzakonshme, me disa raporte që e vlerësojnë deri në 2 miliardë paund.
Putin njoftoi sot se vetëm në vitin e kaluar Prigozhin dhe Wagner Group kishin nënshkruar kontrata me vlerë 1.6 miliardë paund nga shteti rus.
Ndërkohë, një bastisje në selinë e grupit Wagner në Shën Petersburg çoi në zbulimin e 48.4 milionë dollarëve amerikane dhe valuta të tjera të huaja, së bashku me një numër të konsiderueshëm lingotash ari e pasaporta false të komandantit të luftës.
Prigozhin, i cili është gjithashtu në listën e më të kërkuarve të FBI-së duket se nuk është asgjë më pak se “Mr Big” i Rusisë, një mbret gangster. Ai akuzohet se gishtat e tij të turbullt janë përfshirë në kompani dhe korrupsion në të gjithë Rusinë.
Gjithçka, duke nisur nga kateringu dhe sektori i ndërtimit deri te nafta dhe gazi janë në portofolin e Prigozhin.
Madje ai akuzohet për drejtimin e “fermave të trolleve” famëkeqe që përhapin propagandën ruse në rrjet, në Perëndim.
Falë grumbullimit të parave të tij dhe rrëmujës në korridoret e pushtetit të Kremlinit, familja e tij kuptohet se ka akses në një pasuri të madhe personale.
Ata thuhet se kanë një pronë me vlerë 7.5 milionë paund, një jaht që vlen 4.5 milionë paund të quajtur St Vitamin dhe një aeroplan privat Hawker 800 që vlen 3 milionë paund.
Ai madje është i apasionuar pas makinave dhe zotëron një Lincoln Continental të çmuar të vitit 1975.
Prigozhin u emërua “Personi i Vitit” i Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në 2022.
“Prigozhin është një ushtar i korrupsionit. Ai lufton dhe vret për të instaluar korrupsionin. Wagner nuk është gjë tjetër veçse një grup i krimit të organizuar i kontraktuar nga qeveria ruse”, thuhet në raportin e OÇRP për liderin e milicisë.
Në kushtet aktuale komandanti i luftës është urdhëruar të jetojë ditët e tij në shtetin fqinj kukull të Rusisë, Bjellorusi. Ai raportohet të jetë duke qëndruar në një hotel me tre yje në kryeqytetin Minsk.
Grupi i tij mercenar duket se po shpërbëhet, me Rusinë që urdhëron që të dorëzojnë armë të rënda dhe pajisje ushtarake sipas marrëveshjes me Kremlinin.
Dhe ndërsa ai fillimisht ishte nën hetim për “tradhti”, FSB gjithashtu duket se ka hedhur poshtë hetimet ndaj Prigozhin.
Por me perandorinë e tij të etur për gjak që po shkatërrohet rreth tij, Prigozhin duhet të ketë shumë për të rikthyer, nëse Kremlini e lejon atë ta mbajë atë në vend që t’i konfiskojë asetet e tij për vete.
Është gjithashtu e paqartë se çfarë do të ndodhë me familjen e Prigozhin dhe nëse ata do t’i bashkohen atij në Bjellorusi.
Prigozhin ka tre fëmijë Polina, Veronika dhe Pavel me gruan e tij Lyubov Valentinovna Prigozhina, e cila drejton një zinxhir dyqanesh çokollate dhe një rrjet luksoz spa-sh.