Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e ka akuzuar Rusinë se po tenton të fshehë shkakun e rrëzimit vdekjeprurës të avionit gjatë kësaj jave, duke i bërë thirrje Moskës që ta pranojë përgjegjësinë.
Avioni me pasagjerë i Azerbaijan Airlines po fluturonte nga Bakuja e Azerbajxhanit drejt Groznit në Rusi më 25 dhjetor, kur ndryshoi rrugën dhe u rrëzua në Kazakistan, duke lënë të vrarë 38 nga 67 personat që ishin në bord.
Ka pasur prova të shumta se avioni u godit nga një raketë e mbrojtjes ajrore ruse në Çeçeni, para se të rrëzohej pranë qytetit Aktau në perëndim të Kazakistanit.
Aliyev tha se avioni gabimisht u rrëzua teksa po i afrohej Groznit, duke shtuar se sistemi GPS i avionit ishte prekur nga ndërhyrjet me pajisje elektronike.
“Avioni ynë u godit aksidentalisht”, tha Aliyev për televizionin shtetëror më 29 dhjetor. “Prandaj, pranimi i fajësisë, kërkim-falja e menjëhershme ndaj Azerbajxhanit, që konsiderohet shtet miqësor, dhe informimi i publikut për këtë ngjarje, që të gjitha këto masa dhe hapa do të duhej të ndërmerreshin”.
“Fatkeqësisht, në tre ditët e para ne nuk dëgjuam asgjë nga Rusia përpos disa teorive absurde”, shtoi Aliyev, duke cituar deklaratat në Rusi se avioni ishte rrëzuar për shkak të goditjes nga zogj apo për shkak të një shpërthimi të një cilindri gazi në avion.
Këto teori, tha Aliyev, tregojnë se “pala ruse dëshiron ta fshehë këtë ngjarje”.
Deklaratat e Aliyevit vijnë një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i kërkoi falje Aliyevit, por nuk e pranoi fajësinë për rrëzimin e avionit.
Gjatë një bisede telefonike me Aliyevin, Putin tha se mbrojtja ajrore ruse ishte duke zmbrapsur një sulm të pretenduar me dronë të kryer nga Ukraina në Grozni, kur avioni po tentonte të ulej në aeroportin atje.
Putin “i kërkoi falje lidhur me incidentin tragjik që ndodhi në hapësirën ruse”, u tha në njoftimin e Kremlinit, duke lënë të kuptohet se Putini e pranoi se avioni ishte dëmtuar mbi Çeçeni, por nuk u tha nëse dëmtimi është shkaktuar nga një sulm me raketë të Rusisë.
Komiteti hetues i Rusisë ka nisur hetimet lidhur me shkeljet e mundshme të rregullave të sigurisë së fluturimeve, u tha në deklaratë. Dy prokurorë azerbajxhanas po punojnë me autoritetet ruse, së bashku me kolegët e tyre nga Kazakistani.
Deklarata e Kremlinit me gjasë do të rrisë dyshimet se një raketë ruse ishte ajo që dëmtoi avionin para se ai të ndryshonte rrugëtimin për në Aktau, kur u rrëzua dhe u përfshi nga flakët.
Provat për një sulm me raketë përfshijnë pamje të dëmeve brenda avionit para se të rrëzohej dhe imazhe të vrimave në pjesën e bishtit të fluturakes pas rrëzimit, por edhe deklarata nga të mbijetuarit që kanë thënë se kanë dëgjuar të paktën një shpërthim jashtë avionit kur po fluturonte mbi Çeçeni. /REL