Babë e bijë në shërbim të Kosovës: Vajza fiton medalje në Izrael, babai e ruan rendin qe dy javë në veriun e tensionuar

Laura Fazliu ia zbardhi fytyrën Kosovës dje me medaljen e argjendtë që e siguroi në garën prestigjioze të xhudos, “Jerusalem Masters 2022”.

Por, ajo nuk është e vetmja nga familja mitrovicase që po i shërben atdheut.

Në fakt, edhe babai i saj, Musli Fazliu është duke e bërë krenar vendin e tij.

Babai i Laurës po e kryen me nder detyrën që i është dhënë, duke e ruajtur rendin dhe qetësinë në veri të Kosovës ku situata është mjaft e brishtë dhe jostabile, me grupet kriminale të struktureve paralele serbe që janë prezente dhe me persona të maskuar që lëvizin kohë pas kohe nëpër qytet.

Laura ndihet krenare me babanë e saj, i cili, bashkë me pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës, po qëndrojnë në veri në misionin e tyre qe afro dy javë.

E derisa Laura po luftonte po e festonte medaljen e saj në Jerusalem, babai i saj në të njëjtën kohë ishte në veri me detyrën për sundim të ligjit.

“Babi është në veri për rreth 12-13 ditë. Ndihem krenare për të. Ai po e bën punën e vetë, si çdo polic tjetër”, thotë Fazliu për “Express”.

Ndërkohë, xhudistja mitrovicase është e fokusuar në karrierën e saj të ndritshme që e ka përpara.

Nënkampionia e Evropës po e shijon çdo moment të suksesit të djeshëm, i cili ia hap rrugët e sigurimit të pikëve olimpike, pra pjesëmarrjes në Olimpiadën e Parisit më 2024.

Ajo mposhti xhudiste të fuqishme para se ta fitonte të argjendtën.

“Jam shumë e lumtur për këtë medalje. Është hera ime e parë që marr pjesë në Masters. Me këtë medalje e kam parë që jam në rrugën e duhur drejt Olimpiadës. Normal, qëllimi kryesor është Olimpiada, synimet i kam aty”, shton ajo.

Pa diskutim, merita të mëdha për sukseset e Laura Fazliut ka trajneri Driton Kuka, i cili njihet për nxjerrjen e kampioneve olimpike.

“Laura Fazliu ishte e mrekullueshme sot, pothuajse e çmendur. Mposhti kolore botërore deri në finale. Rrugëtimi i saj drejt Olimpiadës është i sigurt, s’ka më dilema aspak. Ajo i mori 1260 pikë olimpike”, ka shkruar trajneri më i mirë në botë në rrjetin social “Facebook”.

Laura Fazliu synon ta ndjek rrugën e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës e Distria Krasniqit.