Baerbock: Kosova bëri hapin e saj, tash e ka radhën Serbia

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se është radha e Serbisë që të marrë ndonjë veprim në lidhje me barrikadat e vendosura pasi Kosova ka bërë hapin e saj duke shtyrë zgjedhjet.

Këtë deklaratë Baerbock, e bëri para nisjes së punimeve të Këshillit të ministrave të Punëve të jashtme të Bashkimit Evropian.

“Qeveria e Kosovës ka bërë një veprim ekstra duke shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale , që të marrë situatën nën kontroll dhe kjo pikë së pari për të ofruar sigurinë e njerëzve në terren. Nga ana tjetër kjo situatë prej palës serbe është nxehur edhe më shumë, kjo është shumë më shumë sesa papërgjegjësi”.

Sipas kryediplomatës gjermane, në këtë situatë është duke u bërë fjalë për sigurinë e njerëzve, prandaj është përgjegjësi e qeverisë serbe që të veprojë.

“Unë kam një apel urgjent ndaj Serbisë që të bëjë krejt çka ka në dorë që t’i mbrojë njerëzit në rajon. Në politikë bëhet fjalë për sigurinë e njerëzve pra, popullit, prandaj kjo është përgjegjësi e qeverisë serbe”.

Baerbock, përmes një deklarate te dielën paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë i ka quajtur “krejtësisht të papranueshme”.