Ekipi i Ballkanit duket se po shkruan historinë. Skuadra kosovare ka shënuar fitore ndaj BATE Borisovit me rezultat 4-1 në ndeshjen e parë të fazës play-off të Ligës së Konferencës.
Kampionët e Kosovës e nisën shumë mirë ndeshjen duke krijuar dy raste shumë të mira me Meriton Korenicën dhe Lorenc Trashin, por goditjet e tyre shkuan shumë afër shtyllës.
Ajo që nuk pritej ndodhi, pasi BATE Borisovi kaloi në epërsi me golin e Denis Laptev në minutën e 10-të.
Por nuk vonoi shumë dhe Ballkani shënoi golin e barazimit me Bajram Jashanicën që shënoi me kokë në minutën e 31-të për rezultatin 1-1. Me të filluar pjesa e dytë Ballkani nisi sulmet drejt portës bjelloruse.
Nuk vonoi shumë dhe pas një harkimi në zonë nga Armend Thaqi më së miri u gjend Bleart Tolaj që shënoi me kokë për 2-1 në minutën e 58-të.
Ballkani vazhdoi me sulme dhe po kërkonte golin e tretë. Nuk vonoi shumë dhe sërish i njëjti lojtari, Bleart Tolaj ishte i pamëshirshëm brenda zonës, ku me një goditje gjysmë volej shënoi për 3-1.
Kampionët e Kosovës provuan deri në fund të shënonin golin e katërt dhe ia arritën në minutën e 90-të, kur Armend Thaqi shënoi për 4-1 pas një harkimi.