“Bëhu me mua…”, pse e refuzoi Skënderbeu princin që i kërkoi aleancë! Ekspozitë me botime të rralla kushtuar heroit kombëtar në 556-vjetorin e vdekjes

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje 556-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468). Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve, strateg dhe burrë shteti, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.

Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e heroit tonë kombëtar lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman. Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skëndërbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve.

Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar në të gjithë vendin, e cila u kthye brenda pak kohëve në një kryengritje të përgjithshme.Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa me madhe e trojeve shqiptare. Forcat shqiptare me në krye Skëndërbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, së Ohrit e të Domosdovës, grykat e luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj. Pas vitesh lufte e rezistencë ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë. Figura e tij dhe lufta që udhëhoqi, u bënë një burim frymëzimi gjatë luftërave për lirinë e pavarësinë e Atdheut dhe sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi përmes aktiviteteve 556-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skëndërbeut.

Ne mjediset e QKLL u çel një ekspozitë me botime të rralla mbi Skëndërbeun, një prej të cilave, “Historia e Skënderbeut” nga Fan Noli, botimi i parë, i vitit 1921. Historianët Ferit Duka dhe Nevila Nika sollën në fjalën e tyre përmasat botërore të kësaj figure të rëndësishme, jo vetëm për Europën, si një simbol i përjetshëm i lirisë njerëzore. Gjatë këtij takimi, u promovua dhe Bibliografia “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë”, me autor Hysen Dizdari, si dhe u hap një ekspozitë me botime në kohë mbi këtë figurë. Bibliografia fillon në vitin 1480 dhe përfundon në muajin shtator të vitit 2023. Objektivi themelor i kësaj bibliografie është përshkrimi i librave historikë, librave letrarë e artistikë, biografive, albumeve, katalogëve të ndryshëm kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, të shkruara në gjuhën shqipe dhe të huaj nga autorë me etni dhe origjinë shqiptare. Kjo bibliografi i bashkohet veprave të tjera në këtë gjini mbi figurën e Skënderbeut të shkruara nga bibliografë të shquar si: prof. Gjergj Prekazi, Dhimitër Shuteriqi, Palok Daka, Jup Kastrati, Isak Shema, Ibrahim Rugova, Maksim Gjinaj, Etleva Domi, Willy Kasmi, etj.

HISTORIANI

Në morinë e informacioneve që dihen për Skënderbeun, Heroin Kombëtar, përvjetori i vdekjes të së cilit përkujtohet më 17 janar, historiani Pëllumb Xhufi evidenton disa pika të rëndësishme. Ai tha në “Tv Klan” se Arkivi i Venedikut ka botuar 26 vëllime dokumentesh për Skënderbeun dhe ngjarjet e kohës që lidheshin me Heroin Kombëtar. Marrëdhëniet e mira me Papatin do t’i siguronin titullin mbret nëse nuk do të kishte ndodhur një rastësi fatkeqe. Historiani flet edhe për ndërrimin e feve që kishte bërë Skënderbeu dhe aftësitë e tij diplomatike e strategjike. Xhufi pohoi se Skenderbeu herë qujhej Princ dhe herë Mbret. “Për fat të keq, nuk u bë dot mbret dhe ishte e parashikuar siç e thotë Papa Piu II q ë ishte një bashkëkohës dhe mbështetës i fortë i Skënderbeut.

Do bëhej kryqëzata në vitin 1464, do nisej nga Ankona dhe erdhi flota, u bë gati dhe vdiq Papa për fat të keq, ishte organizatori dhe Papa i kishte premtuar Skënderbeut dy gjëra, që: ti do bëhesh mbret i Shqipërisë dhe e dyta, do merrte se shteti i Skënderbeut që mjaft i rrudhur, po themi një shtet i Ismail Qemalit pas 500 vjetësh do zgjerohej në treva të tjera shqiptare në Maqedoni, në veri etj mirëpo ky rast iku për një koincidencë fatale, vdekja e Papës nuk realizoi kryqëzatën dhe Skënderbeu nuk u bë por ngeli gjithmonë Dominus Albanie, domethënë ‘Zoti i shqiptarëve’”, deklaroi Pëllumb Xhufi. Sipas tij, heroi kombëtar ka ndërruar tri herë fenë. “Jo vetëm Skënderbeu, edhe i ati i tij ka ndërruar tri fe. Skënderbeu edhe në këtë qe inovator sepse fenë e kishte të dashur, por nuk thoshte “fe dhe atdhe” por “atdhe dhe fe”. Këtë e nxjerr shumë mirë në një letër që i çon princit të Tarentit, të Italisë së Jugut se ai i thotë “që bëhu me mua” se ishte në luftë me mbretin e Napolit, “bëhu me mua sepse unë jam edhe më katolik se mbreti i Napolit” dhe i thotë “katolikë jemi të gjithë, të gjithë ne që pagëzohemi jemi njësoj katolikë dhe nuk ka katolikë më të mirë dhe më të këqinj. Problemi është që mbreti i Napolit më ndihmon kundër turqve mua, kurse ti lufton kundër atij që mua më ndihmon kundër turqve, domethënë je armiku im, këtu është llogaria që bëj unë”, shprehet Xhufi.

SHTATLARTËSIA

Një nga aspektet më të diskutuara të historisë së Skënderbeut ka qenë pamja e tij fizike. Në disa përshkrime thuhet se ishte i bëshëm e i fuqishëm, ndërsa në të tjera se nuk ka qenë aq trupmadh. në ditën e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, historiani Pëllumb Xhufi thotë se edhe për pamjen e tij ka disa të dhëna. Sipas një kronisti të kohës që ka parë një përleshje mes Skënderbeut dhe një princi italian, Heroi Kombëtar e rrëzoi me shtizë nga kali dhe më pas “e mori, e ngriti si hejbe, e vuri në kalë dhe e çoi rrotull”. Xhufi tha se Skënderbeu ishte trupmadh, por nuk kishte egërsi në portret siç e kemi parë në statuja. “Po, me trup të madh ishte Skënderbeu por nuk ishte edhe aq i egër sa e shohim te busti i Paskalit.Po nisem nga libri i Fan Nolit, i vitit 1921 ‘Historia e Skënderbeut’, të cilin ai e shkruajti bazuar kryesisht në kronikat e kohës, në radhë të parë shkruar nga Marin Barleti pastaj dhe nga kronikanë të tjerë të cilët janë bazuar kryesisht te Barleti.

Në ’47, Fan Noli u detyrua të shkruajë përsëri ‘Historinë e Skënderbeut’ që është krejt gjë tjetër. anë dy versione, njëri që është po themi divulgativ, i pari dhe i dyti që është vërtet një vepër shkencore se bazohet tashmë në vepra arkivore që ndërkohë dolën, u botuan dokumentet arkivore për Skënderbeun të cilat japin një imazh krejt tjetër të Skënderbeut, jo vetëm ai luftëtari me shpatë në bazë të të cilit janë bërë edhe portretet e Skënderbeut, edhe të gdhendura”, deklaroi Xhufi. Historiani shton se Skënderbeu ishte diplomat i jashtëzakonshëm, strateg dhe i kultivuar. Dokumentet e principatës së Milanos thonë se fliste edhe italisht. ” Fliste një italishte elegante. Po, po fliste italisht në mënyrë elegante, në atë kohë italishtja mesjetare ishte anglishtja e sotme, gjuha ndërkombëtare e asaj kohe. Ne themi që u formua te oborri i sulltanit. Mos kujtoni se oborri i sulltanit u mësonte arabisht fëmijëve. Vetë sulltani ishte i rrethuar nga piktorë italianë, mësues italianë”, deklaroi historiani i njohur Pëllumb Xhufi. Një fakt tjetër për pamjen vjen nga dhuratat që i dërgonte Venediku. “Venediku kur u pajtua me Skënderbeun nga viti 1463 i jepte Skënderbeut 1500 dukatë dhe dy kostume në vit se në mesjetë ka qenë kjo. Dy kostume në vit dhe i çoi cohën, stofin për kostum. Skënderbeu ia ktheu dhe i thotë ‘nuk është për mua se nuk më bën as për një kostum kjo’, ishte mbi përmasat e një njeriu normal”, deklaroi z. Xhufi.