Berisha flet pas humbjes së Shkodrës: Ditë e vështirë, moment agonie!

“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narko-shteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë.

Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa tek omega, nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner.

Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në qëllimin tonë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë.

Së fundmi, dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri, për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki siç kanë bërë me shumicën e bashkive të vendit. Shpreh solidaritetin tim me komisionierin Ismail Ismaili, dhe me të gjithë komisionerët e tjerë, që me shumë vështirësi, po përmbushin detyrimin e tyre.”

Tre bashkitë që numërohen në mënyrë elektronike, Kamëz, Vorë dhe Elbasan janë fituar të treja nga Partia Socialiste.

Në Elbasan diferenca është e ndjeshme, në Vorë edhe më e thellë, ndërsa në Kamzë Rakip Suli ka mposhtur Berishën me një rezultat bindës.