Besim Zekthi, kërcimtari plot temperament i “Valles së shqipes”! Një legjendë e skenës shqiptare që interpretoi mbi 200 valle si solist

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit kujtoi dje në ditën e tij të lindjes, mjeshtrin e madh të valles popullore shqiptare, Besim Zekthi (1936-2020).

TKOB e cilësoi Besim Zekthin si “figurën e ndritur që la një trashëgimi të pashlyeshme në artin koreografik dhe interpretimin skenik”. Besim Zekthi, një legjendë e skenës shqiptare, interpretoi mbi 200 valle si solist, duke krijuar qindra figura artistike që mbeten të paharrueshme. Gjithashtu, ai ishte koreografi i disa prej valleve më ikonike: “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, etj. Ai ishte virtuozi që i dha Shqipërisë “Gjerdanin e Artë” në Festivalin e Dizhonit në Francë dhe që me energjinë, temperamentin dhe mjeshtërinë e tij, magjepsi spektatorët në skenat e Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës. Besim Zekthi, laureat i dhjetëra çmimeve e titujve, u vlerësua edhe me titullin më të lartë, “Nder i Kombit”. Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Artisti Besim Zekthi gjatë krijimtarisë së tij ka dhënë kontribut, si kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, por ka shkëlqyer edhe si solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ajo që do të mbahet mend gjatë nga brezat e ardhshëm është “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria”, ku për këtë të fundit është vlerësuar me “Gjerdanin e Artë” të vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në 1970-n. Për kontributin e tij ta vyer në kulturën shqiptare mban titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Nder i Kombit”. Fillimet e tij artistike janë të vendosura në fëmijërinë e tij, në lëvizjet e atëhershme, në aktivitetet e shtëpive të pionierit. Më 1952 prezantohet në Filarmoninë e Shtetit, në një konkurs ku fitoi me pikët maksimale dhe filloi karrierën si valltar dhe mori pjesë në baletin “Esmeralda” në vitin 1953 dhe “Vallja e shpatave” në viti 1954.

Në vitin 1955 kreu shërbimin ushtarak. Me ndarjen e institucioneve, në vitin 1957, krijohet dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilin e drejtonte “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja. Vallja popullore në ecurinë e saj, si traditë dhe vlerë kombëtare shqiptare nuk mund të kuptohet pa përfaqësuesin e saj më të spikatur, Besim Zekthi. Artikulimet për Zekthin janë të shumta, veç morisë së çmimeve, titujve dhe nderimeve, që e kanë ndjekur për katër dekada. Tek ai, arti në tërësi dhe vallja në veçanti kanë skalitur tiparet e një personazhi që rrezaton. Nga viti 1957 deri në vitin 1990, ai numëron mbi 200 valle të interpretuara si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë shikuesve në mbarë brezat shqiptarë. Shkathtësia, mprehtësia, impulsi dhe dinamika e mjeshtrit të madh kanë mahnitur mijëra e mijëra spektatorë.

I cilësuar si kërcimtar plot temperament, energjik, i lehtë, me një mimikë shumë të pasur dhe ekspresive. Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën koreografike të Ansamblit Popullor. Këtë e kanë vërtetuar një seri vallesh të vëna në skenë me sukses të plotë nga artisti i madh. “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës” etj., janë disa nga veprat e vëna në skenë me koreografi të mjeshtrit. Edhe jashtë kufijve të vendit, Besim Zekthi ka debutuar me shumë sukses në vende të ndryshme të Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës. Për talentin, punën dhe virtuozitetin në interpretimin e valleve popullore, është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe trofe të ndryshëm, deri tek ai i fundit, duke mbajtur sot titullin “Mjeshtër i Madh”.