Libri “Beteja për 20 përqindëshin”, me autor Ardit Bido i referohet tematikës së vetidentifikimit etnik, të përqindjes së pakicave greke në Himarë dhe në Konispol, si edhe të ndërhyrjeve të huaja potenciale në procesin e censit të popullsisë dhe të banesave, që përbën ngjarjen statistikore më të rëndësishme të vendit.
Autori thotë se shtysa për realizimin e këtij studimi ishte identifikimi i grupimeve të caktuara të popullsisë shqiptare me identitet fluid. Ai theksoi riskun e vetëdeklarimit të rremë në censusin 2023, siç ka ndodhur në një fshat në censusin e vitit 2011, duke rrëfyer implikimet politike që do të kishte Shqipëria në këte rast.
Prof. Dr. Ksenofon Krisafi theksoi se përgjegjësia për vetëdeklarim objektiv i përket organeve shtetërore. “Nuk mund të thuash ti që unë jam kinez, tajlandez se kështu më mbushet mendja mua tani, por duhet objektivisht të vërtetosh dhe kjo është detyrë e shtetit, në këtë rast e zyrave civile dhe të autoriteteve të tjera që janë të ngarkuara me këtë çështje” shprehu Krisafi.
Në vijim të diskutimit Prof. Dr. Milo nënvizoi se problematikat e adresuara në libër duhet të gjejnë zgjidhje nga elitat politike dhe akademike. “Ne duhet të jemi realistë mbi disa realitete lokale, veçanërisht në tre fshatrat greqishtfolëse të Bashkisë Himarë dhe duhet të nisemi gjithnjë nga parimet e Konventës Kuadër për Pakicat” tha z. Paskal Milo.
Profesori Irakli Koçollari këtë botim e cilësoi si një hap mjaft të rëndësishëm për vendin.
“Pyetësori duhet të shtrohej në debat për mendimin tim, me studies, me grupe studiuesish të fushave të ndryshme, pasi kemi studiues shumë të mirë dhe pastaj do të dinim nëse duhet të ishin apo jo këto dy pyetje” tha mes të tjerash Prof. Dr. Fatmir Mema.
Prof. Dr. Eva Hykaj vlerësoi që ky botim do të jap ndihmesë dhe kontribut në njohjen e problematikave të shqyrtuara.
Në përmbyllje të forumit, moderatori z. Aleksandër Çipa çmoi se përmes këtij botimi faktik, kontribuohet në rikthimin e “Shqipërisë e mendimit”.