“Bisedë diktatorësh”/ Putin dhe presidenti kinez kapen mat duke folur për pavdekësinë

Një mikrofon i ndezur në paradën ushtarake të Kinës në Sheshin Tiananmen kapi një bisedë të pazakontë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit kinez Xi Jinping. Teksa ecnin në krye të delegacionit të huaj, përkthyesi i Putinit u dëgjua të thoshte: “Bioteknologjia po zhvillohet vazhdimisht… organet njerëzore mund të transplantohen pa fund. Sa më gjatë jeton, aq më i ri bëhesh, madje edhe mund të arrish pavdekësinë.”

Xi iu përgjigj: “Disa parashikojnë se në këtë shekull njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjet.” Putin e konfirmoi më vonë për gazetarët se kishte diskutuar me Xi për mënyrat e rritjes së jetëgjatësisë.

Të dy liderët, të cilët kanë ndryshuar ligjet për të mbetur në pushtet pafundësisht, janë të fiksuar prej kohësh me shkencën e zgjatjes së jetës. Putin ka urdhëruar ngritjen e një qendre kërkimore për teknologjitë kundër plakjes, ndërsa mikut të tij të afërt Mikhail Kovalchuk i është besuar projekti i “pavdekësisë” me printimin e organeve në laborator. Vajza e Putinit, Maria Vorontsova, ka marrë miliona euro grante shtetërore për kërkime gjenetike mbi rigjenerimin e qelizave.

Pamjet treguan Putinin dhe Xi-në duke biseduar pranë diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i cili buzëqeshte. Të tre më pas u ngjitën në tribunë për të ndjekur paradën më të madhe ushtarake që Kina ka zhvilluar ndonjëherë, me 50 mijë spektatorë dhe një arsenal nga tanke, dronë e avionë luftarakë deri te raketat me kapacitet bërthamor.