Bislimi për Faton Hajrizin: Tha jam në vend të sigurt, pse nuk iku kah Shqipëria

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Faton Hajrizi për Republikën e Kosovës është kriminel. Mes tjerash, ai ka folur edhe rreth arratisjes së tij në Serbi, duke ngritur pikëpyetje se pse nuk iku në Shqipëri, ku siç u shpreh, kalimi bëhet më i lehtë.

Duke folur rreth ikjes së Faton Hajrizit, numri dy i Qeverisë përmendi se Hajrizi kishte thënë se ”ndodhet në një vend të sigurtë”. Bislimi tutje u shpreh se ai iku n Serbi pasi ky shtet ka “atributin e një vendi të sigurtë për kriminelë”.

“Pjesa tjetër, përtej pasaportës, është produkt i makinerisë propaganduese të Beogradit, në krye me Ivica Daçiq. Për Kosovën, personi që ka ikur është kriminel, person i dënuar për vepra penale, vendin e ka prapa grilave, në narrativën kosovare e ka vendin në burg. Por ajo që nuk po diskutohet është fakti që ky person ka ikë nga burgu, dhe ka trajtuar opsionet për ikjen në një vend të sigurtë, dhe ai ka thënë që jam në një vend të sigurtë, ai ka pasë opsione drejt Shqipërisë, me Shqipërinë kemi kalimin e integruar të kufirit, ku kalimi bëhet i lehtë dhe nuk kemi asnjë bazë ushtarake. Në anën tjetër, kemi Serbinë, vend armik që ka 48 baza, baza që operojnë përpara, dhe është kufiri që Serbia e ruan më së miri nga të gjithë kufijtë. Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, ruhet më mirë se ata Ukrainës me Rusi. Cila është logjika që një person që po ikë nga burgu dhe po kërkon dalje nga Kosova, e zgjedh kufirin më të rrezikshëm, si më të sigurtë. Kjo tregon që Serbia, e meriton atributin e një vendi të sigurtë për kriminelë, sepse e ka marrë emrin e një strehe të kriminelëve, kjo është me rëndësi të sigurohet. Përfundon aty storia për neve. Ai s’e përfaqëson Qeverinë e Kosovës, nuk ka pasë as promovim, as sponsorizim si Radojiçiq, as trajnim, as armatim të kompanive tona të prodhimit të armëve, sepse nuk i kemi. Ai në Kosovë trajtohet si kriminel, Radojiçiq si kriminel i luftës.” – tha ai në “KTV”.

Pyetur se a janë institucionet e Kosovës përgjegjëse për këtë, Bislimi u përgjigj si vijon:

“Po çka nënkupton përgjegjëse, përgjegjëse e bën dikush që ka ndihmu në ikje. Po tash ikje ka pasur edhe në burgun më të ruajtur në botë, është e palogjikshme të thuhet janë institucionet përgjegjëse. Nuk e di unë, duhet me bë analizën, s’e bëj unë analizën…”.

Mëngjesin e së enjtes autoritetet në Serbi njoftuan se një policë është vrarë dhe një tjetër është plagosur në Loznicë.

I dyshuar fillimisht u shpall Artan Hajrizi, vëllai i Fatonit, pasaporta e të cilit u gjet në vendin e ngjarjes.

Sot ndërkaq, ministri serb, Ivica Daçiq tha se Hajrizi është vrarë.

Siç thanë aurotietet serbe, ai është qëlluar për vdekje nga Policia e Serbisë pasi ishte fshehur për orë të tëra në një komplet të braktisur të fabrikash. Aty ku sipas tyre, qëndronin emigrantë të cilët largoheshin për në Evropë.

Sipas informacioneve të para, Faton Hajrizi ka tentuar ta kalojë lumin ‘Drini’ dhe të arratiset në Bosnje dhe Hercegovinë.

Njësitet e Anti-terrorizmit në Serbi arritën ta vrasin Hajrizin, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar në asnjë formë të dorëzohej te Policia.

Madje, sipas raportimeve, Hajrizi ka qëlluar me breshëri plumbash mbi policët serbë, të cilët shpëtuan pa lëndime vetëm falë jelekëve anti-plumbë dhe helmetave.