Bitcoin vlen 72 mijë dollarë, rekord historik për monedhën digjitale

Kriptomonedha Bitcoin po këmbehet 72 mijë dollarë këtë fillim jave. Kjo është vlera më e lartë historike për këtë monedhë digjitale, e cila zë 52% të tregut të kriptove.

Çmimi i monedhës virtuale Bitcoin, arriti një nivel të ri historik 72 mijë dollarë këtë fillim javë, pasi u rrit mbi 3.5% në 24 orët e fundit dhe afro 11% në 7 ditët e fundit.

Kriptomonedha e parë në botë, ka arritur këtë nivel rekord, pas atij të muajit nëntor 2021, kur në datën 10 u këmbye për 69 mijë dollarë.

Kriptovaluta është rritur nga një vërshim i parave në fondet e reja të tregtuara në shkëmbim Bitcoin, si dhe nga shpresat që Rezerva Federale së shpejti do të ulë normat e interesit.

Ndërkohë, edhe Ethereum, konkurrenti në radhë i Bitcoinit, ka parë gjithashtu një rritje të vlerës, me rreth 15% brenda një jave. Kjo kriptomonedhë këmbëhet 4000 dollarë dhe brenda këtij viti ka pësuar rritje domethënëse në bursë me mbi 50%.