Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Ukraina ka rimarrë rreth 50 për qind të territorit që ka zaptuar Rusia, ndonëse kundërofensiva e Kievit do të zgjasë disa muaj.
“Ajo tashmë ka rimarrë rreth 50 për qind të asaj që ishte zaptuar”, ka thënë Blinken në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, të dielën.
“Këto janë ditë relativisht të hershme të kundërofensivës. Është e vështirë”, ka thënë ai, raporton Reuters.
“Nuk do të përfundojë për një javë apo dy. Ne presim [që kundërofensiva të zgjasë] disa muaj”, është shprehur Blinken.
Komentet e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës erdhën pak orë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se kundërofensiva e Ukrainës “ka dështuar”.
Putin e ka bërë këtë vlerësim teksa ka pritur aleatin e tij të ngushtë, udhëheqësin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për bisedime në Shën Petersburg, të dielën.