Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kiev është dëmtuar nga sulmet ajrore ruse gjatë ditës së sotme.
Përmes një njoftimi për mediat, bëhet e ditur se është dëmtuar pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së Ambasadës, duke vënë në rrezik jetën e personelit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar këto sulme, të cilat i ka quajtur brutale, shkruan A2 CNN.
Sulmi vjen në një ditë kur në Prishtinë u zhvillua një mbledhje mes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe atyre të Kuvendit të Kosovës, por nuk dihet nëse ka lidhje me këtë zhvillim.
Njoftimi për median:
Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës.
Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.