Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell ka folur para gazetarëve në Bruksel pas takimit që ka pasur me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së tha para mediave se sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, “puna po vazhdon” dhe se ndoshta pritet të ketë sërish takime me ta.
Ai tha se do të provohet nëse mund të gjendet një zgjidhje brenda dialogut, pasi s’ka zgjidhje tjetër.
“Erdha vonë sepse erdha prej një takimi tjetër me Kosovën dhe Serbinë…Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. S’ka zgjidhje tjetër – ajo shkon përmes dialogut”, tha Borrell para gazetarëve.
Burime të BE-së thanë për REL se Kurti pritet të takojë sërish gjatë ditës shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ndërsa, pas takimit me liderët evropianë, Kryeministri Kurti nuk u deklarua para mediave, derisa pati vetëm një përshëndetje me dorë për ta, e njësoj veproi edhe Vuçiq.
Për dallim nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz të cilët nuk folën para gazetarëve, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se Italia, Franca dhe Gjermania po mundohen që të bëjnë hapa përpara sa i përket dialogut dhe se sot iu kanë kërkuar edhe Kurtit dhe Vuçiqit që të ndërmarrin hapa lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë viteve të kaluara të gjatë muajve të kaluar.
Kryeministrja italiane ka thënë se pret të shoh se si do të shkojnë gjërat sot gjatë ditës duke thënë se shpreson që do të bëhen disa hapa përpara.
“Pak më parë ne ishim të angazhuar në një tjetër le të themi një skenar tjetër kritik që është se mes Serbisë dhe Kosovës. Po mundohemi të gjejmë një zgjidhje në bazë të qartë të punës Itali, Francë, Gjermani nga Bashkimi Evropia. Po përpiqemi të bëjmë hapa përpara dhe u kemi kërkuar të dy liderëve të ndërmarrin hapa përpara në lidhje me zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të hartuara së bashku në vitet e kaluara në muajt e kaluar, do të shohim se si do të shkojë gjatë ditës, shpresojmë të bëjmë disa hapa përpara”, ka thënë Meloni.