Vepra e Angelo Masci-t (Engjëll Mashi), prekursor i Rilindjes Kombëtare “Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della Nazione Albanese” (1847), botohet më 265-vjetorin e lindjes dhe 200-vjetorin e ndarjes nga jeta. Akademia e Shkencave të Shqipërisë thotë se, vepra trajton autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen e tyre nga pellazgët, ngre lart luftën e shqiptarëve për liri dhe kërkon që arbëreshët e Italisë të njihen nga shteti si një kombësi e veçantë.
Kjo vepër u përgatit dhe është shoqëruar me parathënie nga akad. Francesco Altimari.
Engjëll Mashi është studiues arbëresh i historisë dhe i kulturës popullore shqiptare. Mësimet fillore i kreu në kolegjin e Shën-Adrianit. Studimet për drejtësi i përfundoi në Napoli.
Ai kreu detyra zyrtare të rëndësishme në Mbretërinë e Dy Sicilive. Mashi është autor i një vepre në italisht me titull “Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della nazione albanese”, Napoli 1807 (Fjalë për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar), që u botua menjëherë pas daljes në frëngjisht të studimit të Konrad Malt-Brun (Conrad Malte-Brun, 1775-1826) Essai sur l’origine, les moeurs et l’état actuel de la nation albanaise (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar).
Vepra ndikoi pozitivisht tek arbëreshët e Italisë dhe tek rilindësit shqiptarë. Botimi i parë i saj u përkthye në frëngjisht nga gjeografi i njohur Maltebrun duke i bërë të njohur shqiptarët në botën e jashtme.