Brazili e bën zyrtare, Ançeloti do të drejtojë Seleçaon nga viti 2024

Karlo Ançeloti do të drejtojë Brazilin duke nisur nga 2024. Lajmi tashmë është zyrtar, i konfirmuar nga presidenti i konfederatës braziliane të futbollit (CBF), Ednaldo Rodrigues, siç raporton CNN Brasil.

Trajneri i Real Madridit pas skadimit të kontratës me ‘Los Blancos’ do të drejtojë Seleçao-n në Copa America.

Ancelotti aktualisht është trajner i  Real Madridit dhe kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2024. Pas kësaj ai do të marrë postin e trajnerit të Brazilit duke synuar trofeun e parë me Copa America, që do të luhet në verën e vitit 2024 në SHBA.

Deri atëherë, kombëtarja braziliane do të drejtohet në mënyrë të përkohshme nga Fernando Diniz.

Sa i përket Ançelotit, ish-trajneri i Milanit dhe Çelsit do të bëhet  i huaji i parë që do të drejtojë Brazilin për gati 60 vjet. Trajneri i fundit i huaj i Brazilit ishte argjentinasi Filpo Nunez, i cili drejtoi ekipin kombëtar për një ndeshje në 1965.

Brazili u drejtua në Kupën e Botës të vitit të kaluar nga Tite, i cili u largua nga ky rol pas eliminimit të tyre në çerekfinale nga Kroacia. Që atëherë skuadra është drejtuar nga Ramon Menezes.