Pas trofeut “Skënderbej” në Krujë, garat e automobilizmit FIA CEZ u spostuan në Kosovë. Trofeu “Brezovica 2023” dhuroi emocione dhe spektakël, në shtegun me gjatësi 7,7 km, i cili është më i gjati në Dardani.
Hill Climb në Kosovë u shoqërua nga rivaliteti i fortë, aksidentet që fatmirësisht nuk kishin pasoja shëndetësore, por edhe rekordet.
Liridon Kalenderi triumfoi, duke vendosur një primat shpejtësie. Me Mitsubishi Evo9 Monster, ai e ndali kronometrin në 03:55.422, duke u pozicionuar i pari edhe në renditjen e përgjithshme.
Gentjan Shaqiri u klasifikua i pesti në renditjen e përgjithshme. Me njëvendëshen e tij, Tattus FR2000, ai realizoi paraqitje mjaft të mira në shtegun e vështirë malor.
Kampioni shqiptar ishte i dyti në disiplinën FIA CEZ, teksa u pozicionua i treti në disiplinën Promo, me kohën 04:09.610. Në turneun ndërkombëtar “FIA CEZ HILL CLIMB” në Brezovicë morën pjesë 47 konkurrentë, ku përveç pilotëve nga Shqipëria dhe Kosova, kishte edhe nga Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovenia.