Kosovo during opening ceremony the Paris 2024 Olympic Games on July 26, 2024 in Paris, France. (Photo by Anthony Bibard FEP/Icon Sport via Getty Images)

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike: Nëntë garuesit nga Kosova parakalojnë në lumin Sena

Kosova e reprezentuar nga nëntë garues ka parakaluar në lumin Sena në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024.

Flamuri i Kosovës ishte në dorë të motër e vëlla për herë të parë në Lojërat Olimpike, pra Nora dhe Akil Gjakova ishin bartësit.

Shteti ynë do të përfaqësohet me nëntë garues në këto Lojëra Olimpike, me Donjeta Sadikun që do ta fillojë e para me përballjen që do ta ketë nesër (e shtunë) ndaj bokserës tajlandeze, Thamanya Somnuek, në kategorinë deri në 60 kilogram.

Më së shumti garues për Kosovën vijnë nga Xhudo, nga ku edhe kemi medalje nga Lojërat Olimpike të kaluara. Pesë garues do të marrin pjesë: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu.

Ndërsa në Not janë Adell Sabovic dhe Hana Beiqi, e në atletikë vetëm Gresa Bakraçi.

Orari i plotë se kur do të garojnë nëntë përfaqësuesit e Kosovës në Lojërat Olimpike është publikuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës ( me vetëm një ndryshim, Donjeta Sadiku përballet me fillim nga ora 21:00).

Lojërat Olimpike Paris 2024 duke filluar nga sot, do të jenë shoqërues të personave të pasionuar pas sportit për 16 ditë, ku pra më 11 gusht përmbyllet gara.

Përballjet dhe çdo garë të sportistëve nga Kosova mund ta ndiqni në televizionin publik, RTK nëpërmjet televizionit apo edhe përmes Ueb faqës rtklive.com.

Kujtojmë që Kosova ka tre medalje të arta në Lojërat Olimpike, të fituara nga Majlinda Kelmendi (2016) dhe Nora Gjakova e Distria Krasniqi (2020), teksa tani gjasat janë të mëdha që ky numër të rritet akoma.