Çështja Beleri në BE/ KE: Nuk shprehemi gjatë procesit! Shqipëria nuk pengohet

Shanset që Bashkimi Europian të bllokojë Shqipërinë për hapjen e grupkapitullit të parë të bisedimeve të anëtarësimit janë deri tani të paqena.

Në përgjigje të interesimit të televizionit shqiptar pas deklaratave të ditëve të fundit nga autoritetet greke pranë BE-së, zëdhënësi europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, u përgjigj se Bashkimi Europian nuk komenton gjatë mbajtjes së hetimeve.

Ne vazhdojmë të ndjekim zhvillimet.  Ne nuk komentojmë hetimet në vazhdim dhe bëjmë thirrje për të siguruar që procesi i duhur të mbahet”, tha ai. 

Ndërsa janë distancuar me këtë deklarim edhe nga qëndrimi publik i zv.presidentit të Komisionit Europian, Schinas si dhe autoritetet greke pranë Bashkimit Europian, zëdhënësi për Zgjerimin dhe Fqinjësinë ka siguruar se proceset e Shqipërisë janë duke vijuar.

“Puna po vazhdon për paketën e ardhshme të zgjerimit, e cila do të vlerësojë gjendjen konkrete në procesin në vazhdim dhe ecurinë e arritur nga Shqipëria në përparimin e reformave të BE-së”.

Komisioni Europian ka dorëzuar tashmë raportin për grupkapitullin e parë të bisedimeve të anëtarësimit, pas shqyrtimit të të cilit, pritet që në fund të vitit të ketë një vendim unanim të nevojshëm.

Sipas kësaj, gjasat që Greqia të vërë veton bazuar në një procedurë në hetim, janë të pamundura teknikisht.