Çështja Beleri/ Rama për median greke: S’mund të kemi dy drejtësi, s’përzihemi në punët e SPAK! Kërcënimet e Greqisë për hakmarrje? Antike, aspak evropiane

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë për televizionin grek ‘ERT’ ku ka ripërsëritur qëndrimin e Shqipërisë për çështjen Beleri. Rama thotë se qeveria nuk ndërhyn në çështjet e gjyqësorit dhe kjo nuk ndryshon as për Belerin. Edi Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij për Fredi Belerin se kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, që akuzohet për blerje votash, është i barabartë si të gjithë qytetarët para drejtësisë.

Sa u përket kërcënimeve nga Athina për pengim të integrimit në BE dhe bllokimin e fondeve europiane për Shqipërinë, kreu i qeverisë e cilësoi këtë gjë antike dhe larg frymës europiane.

E rëndësishme të dëgjohen të dyja kambanat, jo njëra. Kjo është arsyeja se pse e kontaktova vetë gazetarin grek. Ka 80 vjet që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore, dhe ende Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, një arkaizëm i madh, ne jemi shumë të interesuar ta shohim të larguar nga rruga jonë e përbashkët. Besoj tek miqësia dhe tek interesi ynë i përbashkët për të forcuar sa më shumë këtë miqësi, ashtu siç besoj se minoriteti grek në Shqipëri është një thesar i kulturës sonë të bashkëjetesës mes dy popujve, shteteve dhe dy shteteve, pavarësisht kush qeveris. Zotëria është qytetar i Republikës së Shqopërisë që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, por edhe duhet të përgjigjet para ligjit si ccdo qytetar. S’mund të ketë dy drejtësi një për qytetarët shqiptarë me kombësinë shqiptare dhe një për ata me kombësinë greke.”- tha Rama.

I pyetur nëse paraburgimi i Belerit po zgjatet qëllimisht nga qeveria shqiptare në mënyrë që të mos betohet si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, Rama e mohon kategorikisht. Ai shprehet se qeveria nuk ndërhyn në punët e SPAK e për këtë solli si shembull faktin se shumë zyrtarë të lartë, pjesë e PS-së janë në kërkim dhe në paraburgim nga Prokuroria e Posaçme.

“Së pari, që në momentin kur SPAK, Prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit.

Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare.”- tha Rama.

Athina këmbëngul se ndalimi i Fredi Belerit, i cili përfaqëson votuesit e pakicës greke në Himarë, u bë për motive politike dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm. Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Por, Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin.