Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në një konferencë për media së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian, deklaroi se askush nuk ka iluzione, përfshirë edhe vetë Kurtin, se çështja do të zgjidhet brenda natës.
“Besoj se do të ketë përparim në këtë aspekt, por nuk kemi iluzione se kjo do të arrihet brenda natës, këtë e din edhe kryeministri Kurti, ky është qëndrimi edhe i Beogradit”, tha ai.
Gjithë në këtë mes, e rëndësishme, sipas Plenkoviç, është fakti që procesi i normalizimit të jetë “paqësor” më shumë i “fokusuar në dialog” dhe të ketë një “qasje pragmatike”.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve duhet të rregullohen në mënyrë përmbajtjesore me respekt të ndërsjellët, pa konflikte dhe të fokusuara në bashkëpunim e në proces të integrimit evropian”.
Pa këto tipare, sipas Plenkoviç, rajoni mund të kthehet në një kohë tjetër dhe në një kontekst tjetër.
“Andaj askush nuk ka apetit për gjëra të tilla”, shtoi ai.
I pyetur për incidentet në Veri të Kosovës, Plenkoviç deklaroi se sulmi terrorist në Ibër-Lepenc nuk është i ri.
“Ka pasur tri incidente që kanë ndodhur në vitin e fundit, sa i përket Kroacisë janë analizuar shumë thellësisht dhe janë marrë me shumë shqetësim”, ka shtuar ai.