Nga: Skënder Latifi
Megjithatë edhe pse në raportin e 16 majit 1907, Rakiq pozicionohet kinse kundër depërtimit të bandave çetnike në Vilajetin e Kosovës, ato tashmë ishin realitet dhe paraqisnin rrezik serioz për popullatën vendore. Hyrjen e njësiteve çetnike në Kosovë në verën e vitit 1907 e kishin evidentuar edhe diplomatët e huaj. Kështu në një raport të konsullit austro-hungarez Llukes nga Shkupi thuhej qartë se “kalimi i kufirit në relacionin Vranjë – Kozjak, që zyrtarisht është i ndaluar, ka ndodhur, bile gjatë kalimit ilegal të kufirit, çetnikët ishin të veshur me veshje kombëtare shqiptare“
Duke parë si rrezik të vazhdueshëm prezencën e faktorit të Austro-Hungarisë brenda Lëvizjes Shqiptare në njërën anë dhe pamundësisë së futjes së ndikimit brenda strukturave të shqiptarëve, midis konsujve serbë në Prishtinë më 1907 vërehet njëfarë nervozizmi. Bile konsullata në Prishtinë as që kishte ndërmarrë diçka rreth vendosjes së kontakteve me shqiptarët autoritativë. Në radhë të parë shkaku i kësaj iniciative ishte te ndërrimi i shpeshtë i konsujve. Në ndërkohë prej Beogradi ishte provuar që nëpërmes shoqatave të ndryshme “patriotike“ të vendoseshin lidhjet politike me shqiptarët madje edhe pa pjesëmarrjen e konsullatës, ishin mendimet që më së shpeshti dëgjoheshin midis konsujve serbë që shërbenin jo vetëm në Prishtinë por edhe në tokat shqiptare.
“Nevojiten para për ta shtrirë ndikimin mbi krerët e shqiptarëve”
Edhe pse nuk shihej si alternativë e vetme, zëvendëskonsulli Milan Rakiq në Prishtinë prapë iu kthye çështjes së organizimit të Lëvizjes Çetnike dhe organizimit të saj në Vilajetin e Kosovës.
“Më duhet ta pranoj se deri më tani nuk ka të dhëna të mjaftueshme, në bazë të të cilave do të mund të vlerësohej me besueshmëri se çfarë pasojash do të kishte prej veprimtarisë çetnike në këto zona dhe a është e mundshme që të organizohet një veprimtari e tillë, pasi në këtë drejtim së pari mungon përvoja por edhe nuk është punuar aq. Duke i marrë parasysh rrethanat por edhe numrin e serbëve, unë mendoj se veprimtaria çetnike do t’u shkaktonte këtyre më shumë probleme dhe e kam frikën se këtu nuk do të mbetej asnjë serb”.
Elaborimin e tij të gjatë në raportin dërguar Beogradit, Rakiq e ka përmbyllur me propozimet si në vijim: “Afrimi me krerët shqiptarë është i domosdoshëm dhe marrëveshja eventuale me ta përveç në nahinë e Pejës dhe të Prizrenit, duhet të zgjerohet edhe në krahinat ku nuk ka serbë, si në Llap e Drenicë. Është krejtësisht e panovejoshme të paraqiten arsyet për një përpjekje të tillë në Llap, sepse mjafton të përmendet se Llapi është në kufirin tonë dhe pikësëpari do të hasim në këtë krahinë dhe më pastaj do të vazhdonim tutje. Më pastaj zgjerimi i marrëveshjes në Drenicë do të mund të na bënte shumë punë, sidomos me pjesëmarrjen (e përfaqësuesve serbë S. L.) në kuvendet dhe tubimet publike të krerëve shqiptarë, me ç’rast krerët drenicas shumë më lehtë do të bënin propozime në dobi të serbëve dhe për këtë nuk do të ngriheshin dyshime pasi në Drenicë nuk ka serbë. Tani për tani do të mjaftonte që për këto çështje të përcaktohej një kredi prej nga do të shpërndaheshin shuma të caktuara parash, për çdo rast të veçantë dhe për të cilat konsullata në Prishtinë do ta sqaronte dhe do të afronte arsyetime para Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka përfunduar Rakiq.
Konsulli serb në Prishtinë: “Ju lutem ua jepni dhjetë pushkë”
Megjithatë edhe pse në raportin e 16 majit 1907, Rakiq pozicionohet kinse kundër depërtimit të bandave çetnike në Vilajetin e Kosovës, ato tashmë ishin realitet dhe paraqisnin rrezik serioz për popullatën vendore.
“Që prej kur çetat kanë filluar të kalojnë nëpër kazanë e Gjilanit, konsullata gjithnjë ia ka tërhequr vërejtjen ministrisë dhe këshillave (çetnike) për pasojat e rënda dhe me këmbëngulësi ka qenë kundër dërgimit të çetave nëpërmes kazasë së Gjilanit. Këtë mendim e mbështes edhe unë. Duke i pasur parasysh rrethanat ia kam lejuar Stojan Dajiqit (mësues në Gjilan) që të veprojë sipas kërkesave tuaja. Dajiqi do t’i dërgojë njerëzit për të marrë armë. Ju lutem ua jepni dhjetë pushkë”, ka urdhëruar konsulli serb nga Prishtina.
Hyrjen e njësiteve çetnike në Kosovë në verën e vitit 1907 e kishin evidentuar edhe dipolomatët e huaj. Kështu në një raport të konsullit austro-hunagrez Llukes nga Shkupi thuhej qartë se “kalimi i kufirit (të pjesëtarëve të Lëvizjes Çetnike – S. L.) në relacionin Vranjë – Kozjak, që zyrtarisht është i ndaluar, ka ndodhur, bile gjatë kalimit ilegal të kufirit, çetnikët ishin të veshur me veshje kombëtare shqiptare“.

Prishtina e vitit 1909
Lidhja e besës në krahinën e Gjilanit dhe mosrespektimi i saj
Ndonëse njëra prej nahive më të rrezikuara të Vilajetit të Kosovës nga depërtimi i pjesëtarëve të Lëvizjes Çetnike ngelej ajo e Gjilanit, sa për shkak të viseve që shtriheshin përgjatë kufirit serb, por edhe për shkak të ngritjes së Komitetit të Lëvizjes Çetnike në Vranjën fqinje, megjithatë mund të thuhet se mbetet anakronik bashkëpunimi shqiptaro-serb në këtë nahi edhe atë mu në kohën kur qarqet diplomatike i mbikëqyrnin lëvizjet rreth kufirit në këtë zonë.
Në një raport diplomatik të gjysmës së qershorit të vitit 1907 thuhej se që prej Shën Gjergji në nahinë e Gjilanit ishte arritur “lidhja e besës“ dhe përkundër paralajmërimeve se nën të do të përfshihej edhe pakica serbe, megjithatë në të u përfshinë vetëm serbët e nahisë së Kamenicës që përbëhet prej shtatëdhjetë fshatrave. Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, sa i përket besës ishin rregulluar si në vijim: shqiptarët e kishin gjyqin e tyre ku i zgjidhnin mosmarrëveshjet midis vete, po ashtu edhe serbët e kishin gjyqin e tyre. Por, nëse mosmarrëveshja apo konflikti ishte midis shqiptarëve dhe serbëve, atëherë të dy gjyqet – shqiptare dhe serbe e hetonin rastin dhe nëse serbi ishte fajtor atëherë ai i dorëzohej gjyqit serb. Në të njëjtën mënyrë veprohej nëse shqiptari ishte fajtor. Megjithatë në fund fajtori qoftë shqiptar apo serb i dorëzohej gjyqit shtetëror.
Pra, shihet qartë që promovues dhe përkrahës i idesë së arritjes së besës dhe gjyqeve të ndara ishte vetë pushteti, mirëpo duket se organizimi i gjyqeve në këtë mënyrë nuk iu ka pëlqyer edhe aq ndërkombëtarëve, prandaj në frymën e reformave ata ndoshta qëllimisht e kanë evidentuar ekzistencën dhe punën e Gjykatës Penale në Prishtinë përgjatë vitit 1907.
Kështu zbatimi i marrëveshjes së besës në nahinë e Gjilanit vazhdoi tërë verën e vitit 1907, madje nuk munguan as rezultatet e arritura.
“Në nahinë e Gjilanit ‘Gjyqet e Besës’ janë duke vepruar pa kurrfarë pengesash. Paqja që ka mbisunduar prej Shën Gjergjit dhe liria që e gëzojnë njerëzit tanë (serbët) por edhe shqiptarët, janë duke ndikuar edhe më tepër mbi udhëheqësit e kësaj lëvizjeje dhe jo vetëm se pritet që besa të respektohet, por një marrëveshje e tillë do të zgjerohet edhe në zona tjera. Siç u kam thënë, me marrëveshjen e besës tani janë duke u rregulluar çështjet civile dhe penale. Në fakt gjyqet e besës e kanë peshën e gjyqeve shtetërore. Në fillim kur u arrit kjo marrëveshje nuk besohej se ajo do të merrte përmasa kaq të mëdha. Më pastaj do të informoj edhe se si gjykojnë gjyqet e besës në kazanë e Gjilanit: në fshatin Berivojcë, një shqiptar i ka thënë fqinjit të vet se ai nuk ishte turk. Gjyqi shqiptar e dënoi atë me therjen e një lope dhe ai dënim u ekzekutua menjëherë”, raportohej më 4 korrik të vitit 1907.
Fatkeqësisht në të njëjtin raport të tij, konsulli Milan Rakiq ka shkruar nga Prishtina për kalimin e një bande çetnike pikërisht në kazanë e Gjilanit, gjë që ai e ka afruar një argument shtesë se të gjitha elaborimet rreth “Gjyqeve të Besës” dhe arritjes së bashkëpunimit me shqiptarët ishin të kota dhe ato e minonin projektin e zgjerimit territorial!