Çfarë po ndodh me identifikimin e trupit të Faton Hajrizit?

Më shumë se dy javë kanë kaluar prej kur është raportuar si i vrarë Faton Hajrizi, e trupi i tij ende nuk është kthyer në vendlindje. Javën e kaluar është dërguar strisho e gojës së nënës së tij, por ende nuk ka informata se sa do të zgjasë kthimi i rezultatit të analizës së saj. Njohës të sigurisë thonë se deri në fund të kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete në identifikimin dhe qartësimin e identitetit të Faton Hajrizit.

Të njëjtit thonë se institucionet vendore do të duhej të kishin bërë kërkesë që të dërgohet një ekspert vendor në Serbi. Megjithatë, shteti ende nuk ka pranuar përgjigje zyrtare lidhur me këtë rast.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka thënë KosovaPress-it se janë në komunikim me shtetet e QUINT-it, misionin e BE-së në Serbi, familjen e të ndjerit dhe avokatin e autorizuar nga familja.

“Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i ka parashtruar tri herë kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për të konfirmuar identitetin e personit të vrarë më 19 korrik 2024 në Lloznicë dhe rrethanat e ngjarjes. Gjithashtu, kemi kërkuar mundësimin e kthimit të trupit të tij në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare. Më 30 korrik 2024, përmes avokatit Arianit Koci dhe me asistimin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, është kryer testi i ADN-së nga ekspertët mjeko-ligjorë nga Beogradi tek nëna e shtetasit Faton Hajrizi në Vendkalimin Kufitar Dheu i Bardhë, tek pjesa serbe. Autoritetet serbe kanë deklaruar se do të duhen disa ditë për të kryer analizat e ADN-së. Deri më tani, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk është njoftuar për përfundimin e analizave, dhe as avokati Koci nuk ka marrë ndonjë njoftim”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Avokati Ardian Bajraktari konsideron se është obligim i institucioneve që të dërgojë kërkesë për përfshirjen e një eksperti vendor.

“Është obligim i institucioneve të shtetit të përkujdesën për qytetarët pavarësisht se çfarë dhe ku ndodhën ata. Në rrethana të tilla do të duhej angazhim i madh i shtetit edhe në drejtim të sigurimit, të përfaqësuesve të Institutit të Mjekësisë Ligjore me rastin e ekspertizës dhe ekzaminimit mjeko-ligjor që bëhet nga ana e institucioneve të Serbisë. Pavarësisht faktit që unë konsideroj që një kërkesë e tillë nuk do të mund të realizohej për faktin se fqinji jonë verior vazhdon të hezitojë të bashkëpunojë me institucionet tona si rezultat i mendësisë së vjetër, mirëpo megjithatë një kërkesë e cila së paku deri më tash nuk është bërë publike që është bërë në adresë të institucioneve që këto të marrin pjesë në këtë. E si rezultat i mos marrjes pjesë të ekspertëve tanë të Mjekësisë Ligjore, në bindjen time do ta bënte të domosdoshme një ekspertizë shtesë me rastin e kthimit, kurdo që do të ndodhë kthimi i trupit të të ndjerit, Faton Hajrizi në Kosovë”, deklaron ai.

Serbia do ta zvarris hartimin e raportit mjeko-ligjor, shton Bajraktari, ani pse thekson se në raste të ngjashme nuk ka pasur vonesa më shumë se dy javë.

“Si rregull kur kanë ndodhur raste të ngjashme, afërsisht dy javë ka ndodhur procesi i kthimit të trupave të pajetë të qytetarëve tanë ku kanë humbur jetën në rrethana të ngjashme në vende të tjera e kjo natyrisht kur jemi te Serbia, unë kam përshtypjen që do të mund të zgjas edhe ca ditë pikërisht për shkak të këtyre arsyeve. Do të përpiqen të justifikohen në drejtim të hartimit të raportit mjeko-ligjor e të ngjashme. Por që esencë do të përpiqen për aq sa kanë mundësi ta përdorin këtë rast për viktimizim”, shtoi ai.

Ndërkaq eksperti i sigurisë, Bedri Elezi pret që deri në fund të kësaj jave të ketë finalizim të raportit për identifikimin e trupit të pajetë.

“Deri në fund të kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete për identifikimin dhe qartësimin e identitetit të tij dhe më pas edhe sjelljen në Kosovë. Sa i përket kapaciteteve teknike për konstatimin e profilit apo identitetit të tij nuk është ndonjë problem, madje këtë e kanë konstatuar edhe ekspertët kosovar të cilët merren me çështjen, kanë konstatuar që nuk është e vështirë të identifikohet nëse kemi të bëjmë me Faton Hajrizin, por që rrethanat e vdekjes mund të vështirësohen në rast se kemi një afat”, shton ai.

Ai shton se familja po bën përpjekje të vazhdueshme për kthimin e trupit të pajetë në vendlindje, ani pse konsideron se është e vështirë.

“Ka një përpjekje të familjes së Faton Hajrizit për ta sjellur kufomën e tij në Kosovë, por që përpjekja e tyre duke e pasuksesshme për shkak se të njëjtit kanë autorizuar një avokat i cili nuk është pjesë e Odës së Avokatëve të Serbisë dhe nuk ka të drejtë operimi si avokat në Serbi por që ka bërë përpjekje, madje duke tentuar që të sjell edhe kampione të ADN-së nga familja deri në Serbi. Në rastin konkret ne jemi të vetëdijshëm se duhet të jenë institucionet e Republikës së Kosovës të cilat duhet të bashkëpunojnë me Serbinë duke përdorur zyrën ILEK, e cila është në kuadër të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës dhe vepron për raste të tilla, siç është bërë njëjtë edhe me shenjat e gishtërinjve dhe se është bërë një konfirmim. Nuk ka informacione deri më tani nëse Ministria e Jashtme në bashkëpunim me zyrën ndërlidhëse në Beograd kanë angazhuar ndonjë ekspert të pavarur për të konstatuar identitetin e Faton Hajrizit, ngase në vendin e ngjarjes janë gjetur dokumentet e vëllait të tij dhe veprën dyshohet se e ka kryer Faton Hajrizi”, deklaron ai.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës. Pas disa ditëve, u shpall në kërkim edhe nga autoritetet serbe, meqë dyshohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të Serbisë. Hajrizi u raportua se është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça. /KP