Dy helikopterë ‘Black Hawk’, të cilësuar si më të mirët në botë kanë mbërritur në Shqipëri ditën e sotme (13 janar). Lajmin e bën me dije ambasada amerikane në Tiranë nëpërmjet një postimi në facebook, ku theksohet se helikopterët e rinj të mbërritur nga SHBA do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë si dhe për mbështetje logjistike të NATO-s për operacione e stërvitje.
“Mbërritje historike e helikopterëve të parë UH-60 Black Hawk të Shqipërisë. Një avion transportues C-17 i Shteteve të Bashkuara erdhi sot në Tiranë për të dorëzuar porosinë e parë të Shqipërisë për helikopterë Black Hawk, mbështetur me mbi 50 milionë dollarë nga fondet e ndihmës së SHBA. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes”- thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi mbërritjen e këtyre helikopterëve si një investim shumë të rëndësishëm për sigurinë e vendit. Ai shkroi në facebook se investimi i bërë në bashkëpunim me SHBA-të, ka prioritet madhor mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nëpërmjet një reagimi të bërë në rrjetet sociale shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-ve dhe theksoi se helikopterët e rinj janë një investim i rëndësishëm për Forcat e Armatosura të vendit.
Çfarë janë helikopterët “Black Hawk”?
Helikopteri UH-60 Black Hawk është avioni kryesor i transportit dhe sulmit ajror i Ushtrisë Amerikane me ngritje mesatare.
Është një helikopter i shërbimeve me ngritje të mesme me dy motorë. Ai është i pajisur me një rotor të vetëm me 4 tehe dhe një rotor bishti me 4 tehe.
Komplementi bazë i ekuipazhit për UH-60A është tre: pilot, bashkë-pilot dhe shefi i ekuipazhit.
Tehet e rotorit me bërthamë titan janë rezistente ndaj zjarrit AAA (artileri kundërajrore) deri në 23 mm dhe janë të pajisura me sensorë nën presion të aftë për të zbuluar humbjen epresionit të rotorit (dëmtimi).