Danimarka fuqizon mbrojtjen e Grenlandës pasi Trumpi përsëriti dëshirën për blerjen e saj

Qeveria daneze ka njoftuar një rritje të madhe në shpenzimet e mbrojtjes për Grenlandën, disa orë pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti dëshirën e tij për të blerë territorin e Arktikut.

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, ka thënë se paketa është një “shumë dyshifrore miliardëshe” në korona, ose të paktën 1.5 miliardë dollarë, raporton BBC.

Ai e përshkroi kohën e njoftimit si një “ironi të fatit”.

Të hënën Trumpi ka thënë se pronësia dhe kontrolli i ishullit të madh ishte një “domosdoshmëri absolute” për SHBA-në.

Grenlanda, një territor autonom danez, është shtëpia e një objekti të madh hapësinor të SHBA-së dhe është strategjikisht e rëndësishme për SHBA-në, pasi shtrihet në rrugën e saj më të shkurtër për në Evropë. Ka rezerva të mëdha mineralesh dhe nafte.

Poulsen ka thënë se paketa do të mundësonte blerjen e dy anijeve të reja të inspektimit, dy dronëve të rinj me rreze të gjatë dhe dy ekipeve shtesë të saj për qen.

Ajo gjithashtu do të përfshijë fonde për rritjen e personelit në Komandën e Arktikut, në kryeqytetin Nuuk, dhe një përmirësim për një nga tri aeroportet kryesore civile të Grenlandës për të trajtuar avionët luftarakë supersonikë F-35.

“Ne nuk kemi investuar mjaftueshëm në Arktik për shumë vite, tani po planifikojmë një prani më të fortë”, ka deklaruar ai.

Ministri i Mbrojtjes nuk ka dhënë një shifër të saktë për paketën, por mediat daneze kanë vlerësuar se do të ishte rreth 12-15 miliardë korona.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Trumpi ka thënë në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social” se “Për qëllime të sigurisë kombëtare dhe lirisë në të gjithë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute”.

Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede i është përgjigjur komenteve të Trumpit, duke thënë se “ne nuk jemi në shitje”.

Por ai ka shtuar se qytetarët e Grenlandës duhet të vazhdojnë të jenë të hapur për bashkëpunim dhe tregti, veçanërisht me fqinjët e tyre.