Mediat greke shkruajnë se Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka dërguar një tjetër mesazh Shqipërisë sa i përket çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarsës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg me akuzën për shit-blerje të votës.
“Kathimerini.gr” shkruan se korrespondetët grek në Uashington kanë pyetur një përfaqësues të DASH në lidhje me çështjen e Belerit, i cili është shprehur se autoritetet shqiptare duhet të ndjekin procedurat e duhura.
“Ne jemi në dijeni të rastit (të ndalimit të Fredi Belerit) dhe presim që autoritetet shqiptare të ndjekin procesin e duhur sipas ligjeve të vendi”, shkruajnë mediat greke se ka thënë zyrtari i DASH.
Kujtojmë që Fredi Beleri ndodhet në paraburgim për mbi tre muaj, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën për shitjhe dhe blerje të votës.
Nga hetimet e kryera nga SPAK rezulton se Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat. Vetë shtetasit Arsen Rama, Beleri i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.
Beleri bisedon me informatorin dhe i premton 50 euro për 13 vota që të nesërmen dhe 300 euro për vetë informatorin nëse votat do të dilnin në kuti. Informatori i thotë që të mos shqetësohet se i ka votat e sigurta dhe se ai do të dalë garant për to.