Ish trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi i cili kualifikoi për herë të parë kuqezinjtë në “Euro 2016”, ka uruar Shqipërinë për kualifikimin në ‘Euro 2024’. Ai shtoi se e kishte parashikuar se Shqipëria do të dilte e para në grup.
“Të paktën duhet të më njihni meritën se jam edhe një profet i mirë. Ju thashë që do ta mbyllni të parët…”, tha ai në një intervistë për ‘Panorama Sport’.
A do të shkoni në Gjermani që të shihni ndonjë ndeshje të Shqipërisë?
De Biazi: Po, pse jo?! Natyrisht, do të kisha dashur të shkoja me skuadrën time, Azerbajxhanin, por tani kemi shanse vetëm nga “play off”-i. Edhe ato të pakta. Gjithsesi, nëse do të më krijohet mundësia, do të shkoja me qejf të shikoja ndeshjet e Shqipërisë.
Më i vështirë tani apo në 2016-ën kualifikimi…?
De Biazi: Oh, prapë me këtë?! E kam thënë, ne ishim në kushte të tjera, sepse ishte rrugë e pashkelur, por edhe lojtarët ndryshojnë. Tani dukshëm keni një brez, që luan në nivele akoma më të larta. Por duhet të ma njihni meritën që jam edhe “profet” i mirë.
Për çfarë konkretisht?
De Biazi: E kam thënë në gazetën tuaj, por fillimisht ia kam thënë menjëherë Armand Dukës, pasi u hodh shorti se me këtë grup lojtarësh dhe me ata kundërshtarë në grup, Shqipëria do të dilte e para. Dhe pata të drejtë…