Naim Frashëri, idealet e të cilit për Rilindjen Kombëtare ia mësojmë brezit të ri në bankat e shkollës, ka pas thënë se “kusaria, ligësia, dhe sa te këqija janë, edhe gjithë marrëzia, padijen mëmë kanë.”
Është e trishtë se si si sot, në vendin të cilit Naim Frashëri i dedikoi jetën dhe veprën, fjalët e tij godasin më fort se kurrë, kësaj here pas një diskutimi publik absurd që ka përfshirë bektashijtë.
Naimi, i cilësuar si “krye-bektashiu i madh”, me të cilin krenohemi në librat e historisë, do të tmerrohej nga dallga e sotme e histerisë me të cilën po trajtohet besimi i tij nga analistë, gazetarë, gjithologë që nxitojnë të shpikin qëllime të fshehta mbi nismën për një entitet Sovran të Urdhrit të Bektashijve.
Naimi që u hapi shqiptarëve mendjen me forcën e penës së tij, do të lebetitej nga padija me të cilën po trajtohet nisma, dhe bashkë me nismën, edhe identiteti i bektashijve.
Naimi, që na mësoi dashurinë për atdheun, do të tmerrohej po të shihte se si atdheu, ai të cilit i ngjalli zemrën me vargjet e veta, po ndjek turravrapin e marrëzisë publike, pa tentuar për të kuptuar më parë se ç’do të thotë një entitet i pavarur i bektashijve dhe çfarë përfaqëson nisma për vetë komunitetin.
E gjithë mënyra se si po trajtohet në media kjo çështje, reflekton karakteristikën kryesore të diskutimit publik në Shqipëri, sipërfaqësoren që për lehtësi të komunikimit publik shitet si argument, padijen që sot me lirinë e kanaleve mediatike po shitet si e vërteta absolute.
Thënë kjo, teksa shumica vrapon të spekulojë se kush ishte ideatori, apo cfarë forcash të errëta qëndrojnë pas Baba Mondit, askush nuk tenton të kuptojë e sqarojë rëndësinë e një nisme të tillë, nismë e cila në fund të fundit nuk dëmton askënd, nuk cënon asgjë.
Të thuash se një entitet sovran i një komuniteti besimtarësh cënon sovranitetin e Shqipërisë, është po aq e ligë sa pretendimi se Baba Mondi është një kukull në duart e kriminelëve izraelitë.
Kush thotë se mbështetja për komunitetin e bektashijve i fut ata në konflikt me komunitetet e tjera fetare në vend, duhet të kujtojë Naimin, i cili promovonte rolin e bektashizmit në favor të civilizimit dhe progresit kur shkruante se:
“Bektashinjtë duan shpirtin e tyre dhe të tjerët mysliman e të krishterë, e shkojnë mirë e bukur me gjithë njerëzinë. Bektashiu e do njerëzinë, i ndih varfërisë, ka mëshirë e dhimbje është shpirtëmirë.”
Kush refuzon ta shohë me arsye të mprehtë këtë diskutim dhe që nuk duron dot të shohë ecurinë e procesit, thjesht po bie pre e ligësisë së padijes, asaj që ushqehet nga kolltuqet e ekraneve televizive.
Kjo lloj padijeje e marrëzie nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë për të cilën punuan, sakrifikuan, dhe shkruan vargje të tëra Naimi dhe gjithë rilindasit.
Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë lidhje as me fenë dhe besimin, që na udhëzojnë për të kërkuar gjithmonë “dijen e dobishme dhe punët e mira”.