“Deklarata fyese”, “Ai është anti-serb”: Vuçiq e Bërnabiq i “vërsulen” ambasadorit gjerman në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Jorn Rohde mbrëmë dha deklarata të forta sa u përket zhvillimeve më të fundit në veri të vendit.

Në një intervistë dhënë Interaktiv-it, Rohde hodhi kritika të shumta ndaj strukturave kriminale, ani pse tërthorazi.

Kërkesat për heqje të menjëhershme të barrikadave e akuzat ndaj Listës Serbe për standarde të dyfishta, duket të kenë organizuar krerët serbë.

Fillimisht, shefja e ekzekutivit serb, Ana Bërnabiq, përmes rrjetit social “Twitter”, kërkoi llogari nga ambasadori gjerman në vendin tonë, duke thënë se të tilla deklarata janë kërcënim për njerëzit.

“Deklarime fyese nga ambasadori Rohde në disa pika”, tha fillimisht Bërnabiq, duke numëruar disa nga to.

Së pari, ajo shfaqi skepticizmin e saj ironik,nëse barrikadat duhet të largohen para Krishtlindjeve apo Pashkëve, si kundërpërgjigje ndaj diplomatit që ftoi ata që i vendosën barrikadat t’i heqin sa më shpejt, biles edhe para Krishtlindjeve.

Tutje, ajo kërkoi të dijë nëse Rohde është i informuar për situatën e Pantic, teksa fare në fund shtoi se deklaratat e tij janë kërcënuese për njerëzit e tyre dhe se kjo është e papranueshme.

Nuk vonoi shumë dhe rreth kësaj çështjeje foli edhe Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit, deklaroi se që nga momenti i dërgimit të kërkesës për kthimin e trupave serbë në Kosovë, filluan përgjigjet e politikanëve, sipas kreut serb, nga ata gjermanë.

“Në ditët e fundit, që nga kërkesa për kthimin e ushtrisë sonë në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244 dhe marrëdhëniet e partneritetit që kemi me NATO-n dhe pa dëshirën për konflikt, në vend që të marrim një përgjigje nga KFOR-i, filluam të marrim deklarata politikanë, kryesisht nga Gjermania. Nga Baerbock (ministrja e jashtme gjermane), përmes ambasadorit të plotfuqishëm në Prishtinë, i cili ndërhyn në çdo gjë, e deri te ambasadori gjerman në Beograd”, tha fillimisht Vuçiq për TV Pink.

Përveç kësaj, ai shtoi se Gjermania synon ta dominojë Ballkanin, ndërsa edhe pyeti se ç’lidhje ka e gjithë kjo situatë me Gjermaninë.

“Çfarë lidhje kanë të gjitha këto me Gjermaninë? Është e qartë se Gjermania e konsideron atë hapësirën e saj dhe dëshiron të dominojë Ballkanin. Vetëm nëse je ndjekës i verbër dhe ndjek interesat e tyre, mund të përkëdhelesh në kokë”, vlerësoi Vuçiq.

Ç’tha Rohde?

Jorn Rohde, në intervistën gjegjëse, të cilën mund ta gjeni në vegëzën e vendosur në pjesën e epërme të tekstit, foli për shumëçka, madje përmendi edhe autonominë në disa sfera për serbët.

Sipas tij, Asociacioni i propozuar nga një fondacion gjerman, e që gëzon mbështetjen e autoriteteve nuk ka të bëjë fare me bosnjëzim dhe si i tillë do të punojë konform ligjeve të Kosovës.

“Kategorikisht e refuzoj bosnjëzimin, apo këtë Republikën serbe, sa herë e kam thënë unë dhe kolegët e ambasadave të tjera se, qartazi, kjo nuk është Republikë serbe. Dhe një OJQ gjermane, së bashku me Institutin Evropian për Paqe së voni e kanë publikuar një propozim për Asociacionin, i cili shumë qartë është hartuar të jetë në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga 2015-a, e cila gjithashtu parasheh disa kompetenca në fushën e shëndetësisë dhe arsimit e mbase edhe planifikim.

Dhe kjo e gjitha është në harmoni me ligjet e Kosovës. Është një lloj i autonomisë në disa sfera që nuk e kërcënon integritetin territorial apo sovranitetin e Kosovës. Dhe, e përmirëson një situatë ku tash e keni realitetin e strukturave paralele, që nuk janë përherë të kontrolluara nga Qeveria e Kosovës, e më pas e keni një strukturë që është plotësisht me rregullativat kosovare. Unë vetëm mund të them: ku është problemi këtu? I gjithë diskutimi ynë këtu është që të përmbushen marrëveshjet e kaluara, në kërkim të zgjidhjeve inovative”, tha ndër të tjerash ai.