Dëmtimi i ambasadës shqiptare në Kiev, Ministria e Jashtme thërret ambasadorin rus në Tiranë

Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur ditën e sotme në ambientet e saj ambasadorin e Rusisë në Shqipëri, Alexey Zaitsev.

Zaitsev u thirr në MEPJ pas një sulmi të ndodhur ditën e sotme në Kiev, ku u dëmtuan edhe ambientet e ambasadës së Shqipërisë në Ukrainë.

Më herët gjatë ditës së sotme MEPJ ka postuar në X disa pamje nga dëmet e shkaktuara në ambasadën shqiptare, teksa thekson se u vu në rrezik jeta e personelit diplomatik.

“Një seri sulmesh ajrore nga Federata Ruse tronditi Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të kryeqytetit ukrainas. Si pasojë e këtyre sulmeve u dëmtua pjesërisht Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kiev, si dhe ambasadat e pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm mbi themelet e diplomacisë ndërkombëtare.

Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhen respektuar dhe respektuar plotësisht”, thuhej në postimin e MEPJ.