Dendias: Mirë me Shqipërinë, keq me Turqinë, nuk shkon…

Athina dhe Ankaraja duhet të ndërmarrin hapa më të guximshëm për të përmirësuar marrëdhëniet, tha ministri i jashtëm grek Nikos Dendias.

Duke iu referuar marrëveshjes së fundit mes dy vendeve, ku thuhet se Greqia do të mbështesë ofertën e Ankarasë për Sekretariatin e Përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO) dhe Turqia do të mbështesë ofertën e Athinës për anëtarësim të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Nikos Dendias tha se shpresojmë për hapa më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm nga të dyja palët, raporton Anadolia.

“Shpresoj që të jetë hapi i parë drejt diçkaje shumë më serioze dhe shumë më të madhe. E dini, nëse nuk jemi të gatshëm të ndërmarrim rrezikun më të vogël për asgjë, nuk do të arrijmë askund. Mund të mos dalim kurrë nga shtëpia në mëngjes, sepse një tullë mund të bjerë mbi ne. Unë jam një nga ata që besoj thellë në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Turqinë”, tha Dendias në Forumin e 8-të Ekonomik Delphi.
Ai shtoi se është veçanërisht i lumtur që mandatin e tij në ministri e përfundon me një klimë shumë të mirë në marrëdhëniet greko-turke.

“Mosmarrëveshjet mes dy vendeve fqinje”

“Nuk e kuptoj pse ne mund të zgjidhim problemet me Egjiptin, Italinë, Shqipërinë, por nuk mundemi me fqinjin tonë Turqinë”, tha ai.

Greqia ishte ndër vendet e para që shprehu ngushëllime dhe ndihmë më 6 shkurt, kur dy tërmete të fuqishme goditën 11 provinca jugore turke.

Po kështu, Turqia ishte vendi i parë që ofroi ngushëllime dhe ndihmë pas përplasjes së trenit të 28 shkurtit në Greqinë veriore që vrau të paktën 57 persona.

Pas aksidentit, Turqia lejoi një të burgosur grek të shkonte në Greqi dhe të merrte pjesë në varrimin e djalit të tij.

Ministri grek i Mbrojtjes Nikolaos Panagiotopoulos vizitoi Turqinë javën e kaluar dhe u takua me homologun e tij turk Hulusi Akar.