“Der Spiegel”: Gjermania ia miraton Turqisë blerjen e 40 aeroplanëve luftarakë “Eurofighter Typhoon”

Qeveria gjermane ia ka hapur rrugën Turqisë për blerjen e 40 aeroplanëve luftarakë të tipit “Eurofighter Typhoon” pas një vendimi pozitiv nga Këshilli Federal i Sigurisë, raportoi të mërkurën revista gjermane “Der Spiegel”.

Turqia ka qenë në bisedime për të blerë aeroplanë “Eurofigher Typhoon”, të cilët prodhohen nga një konsorcium mes Gjermanisë, Britanisë, Italisë e Spanjës, i përfaqësuar nga prodhuesit “Airbus”, “BAE Systems dhe “Leonardo”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Këshilli Federal i Sigurisë i Gjermanisë, miratimi i të cilit kërkohet për eksportet e armëve, vepron prapa dyerve të mbyllura dhe Qeveria zakonisht nuk i komenton vendimet e tij.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë refuzoi që ta komentonte raportin. Ministria e Ekonomisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Më herët këtë javë, presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, tha se Gjermania dhe Britania kishin marrë qëndrim pozitiv për shitjen e këtyre aeroplanëve luftarakë dhe se Ankaraja donte që ta finalizonte blerjen sa më shpejt që ishte e mundshme.