Detaje nga sulmi terrorist në Gjermani, dalin pamjet kur “BMW” merr përpara njerëzit

Gjermani është tronditur nga një ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku një makinë ka hyrë me shpejtësi duke marrë përpara turmën e njerëzve.

Zëdhënësi i qeverisë Matthias Schuppe ka konfirmuar se indikacionet e para tregojnë për një sulm.

Ngjarja ndodhi në orën 19:04. Automjeti i përfshirë mësohet të jetë “BMW”, me ngjyrë të errët, drejtuesi i së cilës është arrestuar menjëherë më pas.

Si pasojë e sulmit numri i të plagosurve është i lartë, ndërsa deri më tani janë konfirmuar tre viktima.

Pamjet e kamerave të sigurisë janë tepër të rënda dhe tregojnë makinën që fluturon në drejtim të tregut të Krishtlindjeve duke shpërndarë njerëzit që godet në drejtime të ndryshme.

Tregu i Krishtlindjeve u mbyll dhe është rrethuar nga forca të shumta policie dhe dhjetëra ambulanca, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që njerëzit të largohen nga qendra e qytetit.

“Për shkak të ngjarjeve aktuale, dëshirojmë t’ju këshillojmë të shmangni tregun e Krishtlindjeve. Ju lutemi lërini shërbimet e urgjencës të bëjnë punën e tyre dhe largohuni nga tregu në mënyrë të rregullt!”, thuhet në një njoftim.

“Kjo është një ngjarje e tmerrshme, veçanërisht tani në ditët para Krishtlindjeve”, tha Haseloff, duke shtuar se ishte nisur me makinë drejt Magdeburg.

Siç raporton “Mitteldeutsche Zeitung”, qyteti i Halle ka shtuar masat e sigurisë për tregun e tij të Krishtlindjeve menjëherë pas sulmit. Spitalet e qytetit, rreth 80 kilometra larg, po përgatiten për të pritur të plagosurit. Kështu tha Tobias Teschner, kreu i departamentit të sigurisë për qytetin e Halle.