Dhjetë rreziqet kryesore globale për vitin 2023

Renditja jonë bëhet mbështetur në përvojën tonë shumëvjeçare në parashikimin e rreziqeve dhe tendencave globale në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës të Komunitetit të Inteligjencës së SHBA-së, ku ne kishim për detyrë t’u ofronim liderëve amerikanë analiza dhe njohuri mbi perspektivat afatgjata. Në këtë rast, ne kemi identifikuar rreziqet kryesore globale për vitin 2023, si nga SHBA-ja po ashtu edhe parë nga perspektiva globale.i

Një mori krizash të shkaktuara nga Lufta në Ukrainë
Sesi dhe kur do të përfundojë lufta në Ukrainë kjo mbetet një mister. Por kriza e shumëfishtë që buron prej saj – pasiguria energjitike dhe ushqimor, inflacioni, ngadalësimi ekonomik – mund të jenë duke gjeneruar një “lodhje nga Ukraina” në Perëndim, duke kërcënuar kështu mbështetjen jetike. Ndërsa dimri sapo ka nisur dhe luftimet po ngadalësohet, Putin do ta përforcojë strategjinë e tij që synon kolapsin e plotë të Ukrainë si një shtet funksional, përpara se humbjet e tij ta detyrojnë atë t`i pranojë ato deri në një farë mase. Probabiliteti i këtij skenari është mesatar.

Rritja e pasigurisë ushqimore
Numri i njerëzve që përballen me një pasiguri akute ushqimore është rritur nga 135 milionë në 345 milionë që nga viti 2019. Edhe nëse lufta në Ukrainë përfundon me një marrëveshje për paqe dhe dërgesat e ardhshme të grurit nga Ukraina nuk janë në rrezik, mungesa e ushqimit do të vazhdojë të ekzistojë. Përveç konfliktit, ndryshimi i klimës – që po shkakton thatësira më të rënda dhe ndryshimin e modeleve të reshjeve – është një nxitës kryesor i pasigurisë ushqimore dhe ai nuk ka gjasa të zbutet gjatë vitit 2023. Probabiliteti i këtij skenari mbetet shumë i lartë.

Trazirat dhe përplasja me Iranin
Rebelimi popullor i paprecedentë, mund të prodhojë disa kriza në Iran. Tashmë është rritur ndjeshëm mundësia e një konflikt të ri të rrezikshëm të SHBA-së dhe Izraelit me Teheranin. Marrëveshja bërthamore është gati e “vdekur”. Irani po përshpejton prodhimin e uraniumit shumë të pasuruar afër shkallës së prodhimit të bombës.

Furnizimi me dronë dhe raketa i Rusisë, i shton një dimension të ri konfrontimit dhe është një shtysë për sanksione të reja. Gjasat që protestat ta rrëzojnë teokracinë janë të ulëta, por me pasoja shumë të mëdha transformuese për një Lindje të Mesme tashmë të trazuar.

Përkeqësimi i krizave të borxhit në botën në zhvillim
Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP) ka paralajmëruar se 54 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë “probleme serioze me borxhin”. Këto vende përbëjnë 18 për qind të popullsisë globale, dhe më shumë se 50 për qind të njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme. Vendet me të ardhura të ulëta, si Somalia dhe Zimbabve, janë në krye të listës, por Oxford Economics vlerëson se shumë vende në zhvillim do të përjetojnë situata të vështira.

Borxhi global në rritje
Edhe pse është zbutur disi, kriza e shumëfishtë e rritjes së normave të interesit, një dollar i fortë, një recesion në Evropë, një ekonomi e dobët kineze dhe pasiguritë mbi Ukrainën ka të ngjarë të shkaktojnë një tjetër krizë financiare rajonale apo edhe globale. Madhësia e borxhit është dukshëm më e madhe se ajo gjatë krizës financiare 2007-2008 dhe kushtet fiskale në vendet kryesore të OECD janë më problematike.

Thellimi i defiçitit të bashkëpunimit global
Konkurrenca në rritje midis fuqive të mëdha po e bën më të vështirë arritjen e bashkëpunimit për sfidat e përbashkëta globale. Pas takimit në nëntor gjatë samitit të G-20 midis presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping, të dy udhëheqësit ranë dakord të rifillojnë bisedimet dypalëshe për ndryshimet klimatike. Por një tjetër përplasje mbi Tajvanin, ndoshta do ta ndalojë atë përpjekje. Në mungesë të më shumë veprimeve nga institucionet shumëpalëshe për t’u përballur me sfidat e sotme, legjitimiteti i rendit liberal perëndimor të pas Luftës së Dytë Botërore do të gërryhet, veçanërisht në sytë e shumë vendeve të Jugut Global, që po shohin zvogëlimin e shanseve të tyre për një zhvillim të shpejtë ekonomik.

Një sistem i tekniko-polarizuar dhe i fragmentuar
“Boston Consulting Group” vlerëson se nëse fuqitë e mëdha përpiqen të arrijnë vetë-mjaftueshmëri në shkallë të plotë në lidhje me gjysmëpërçuesit siç dëshiron administrata Biden, investimi fillestar mund të arrijë në 1 trilionë dollarë dhe çipat do të kushtojnë 35-65 për qind më shumë. Ndërsa nxehet lufta teknologjike Kinë-SHBA, në terma afatgjatë, një ndarje e ekonomisë botërore në dy blloqe të pavarura perëndimore dhe kineze do të sillte një rënie me të paktën 5 për qind të PBB-së globale, pra më keq se dëmi i krizës financiare të viteve 2007-2008

Përkeqësim i ndikimeve të ndryshimeve klimatike
Samiti i COP27 përfundoi me më shumë zhgënjime sesa arritje. Thirrjet për të hequr dorë nga karburantet fosile u bllokuan nga shtetet prodhuese të naftës, edhe pse kufizimi i rritjes së temperaturës në 1.5 gradë Celsius u ruajt si qëllim. Shumica e shkencëtarëve mendojnë se bota së shpejti do ta arrijë këtë rritje prej 1.5 gradë Celsius, dhe nëse vendet nuk angazhohen për një ulje prej 43 për qind të emetimeve totale të gazeve serë, temperatura do të rritet me 2.2 gradë Celsius deri në fundin e këtij shekulli.

Thellim i tensioneve SHBA-Kinë
Aktualisht kanë rinisur bisedimet mbi tregtinë, klimën dhe çështjet ushtarake. Por nacionalizmi i paqëndrueshëm nga të dyja palët mund të zhbëjë çdo arritje thelbësore. Teksa ekziston një antipati dypartiake ndaj Kinës, Kongresi i kontrolluar nga republikanët planifikon të ndërmarrë një axhendë akoma më agresive kundër Kinës për Tajvanin, tregtinë dhe të drejtat e njeriut, e cila rrezikon ta minojë axhendën e Biden.

Një sfidë edhe më e rrezikshme në Gadishullin Korean
Testimi nga Pheniani i disa raketave balistike, është pjesë e agjendës së Koresë së Veriut për të krijuar një arsenal të “goditjes së dytë” dhe për të pasur më shumë opsione për të ushtruar presion. Përgatitjet për një test të shtatë bërthamor po bëhen prej muajsh. Një marrëveshje ndihme midis Phenianit dhe Pekinit mund të shpjegojë arsyen pse nuk ka ndodhur ende një test i tillë. Por nëse ndodh një test i shtatë dhe Pekini vendos veton ndaj sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut, mund të thellohen përçarja SHBA-Kinë.

Nga Mathew Burrows & Robert A.Manning “National Interest”