Janina dikur cilësohej si kryeqyteti i Shqipërisë. Ali Pasha i Janinës kishte në qytetin, sot pjesë e Greqisë, sarajet e tij, kështjellën dhe dhjetra fortifikime. Dhe qyteti banohej në pjesë të madhe nga shqiptarë.
Por duket se sot, këto kujtime të vjetra zgjohen teksa qyteti që grekët e quajnë si “kryeqyteti i Epirit”, ka parë një valë të madhe të turistëve shqiptarë.
Në fakt, sipas shifrave, shqiptarët mbajnë vendin e parë të turistëve të huaj që kanë vizituar Janinën, duke lënë pas edhe gjermanët.
Sipas INSETE, vendi në veri të Greqisë priti 1.7 milionë vizitorë në vitin 2023. Nga këta, 219,000 ishin nga Shqipëria, 80,000 nga Gjermania dhe 76,000 nga Mbretëria e Bashkuar.
Gjatë të njëjtit vit, të ardhurat turistike për Greqinë e Veriut arritën në 330 milionë euro, me 46 milionë nga vizitorët gjermanë, 42 milionë nga vizitorët shqiptarë dhe 41 milionë nga vizitorët britanikë.
Për dekada, vizitorët nga Shqipëria kanë qenë më të rëndësishmit si në numër ashtu edhe në shpenzime, pas vizitorëve grekë, për qytetin e Janinës. Arritjet e tyre janë të qëndrueshme, duke i bërë ata një burim jetik të ardhurash për ekonominë lokale, duke mbështetur hotelet, restorantet dhe sektorin e shitjes me pakicë.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve kryesisht me banim në jug të vendit, e zgjedhin Janinën edhe për arsye shëndetësore. Në qytetin grek ka dy spitale të mëdha me mjekë të specializuar që ofrojnë shërbim të lartë.
Lidhjet e biznesit midis Janinës dhe Shqipërisë mbeten gjithashtu të forta. Shumë kompani në Janinë kanë bashkëpunime të gjata me bizneset shqiptare, me partneritete të reja që vazhdojnë të krijohen, duke përfituar të dyja palët.