Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë me bizneset për shfrytëzimin e tyre. Shpesh ato automjete nuk kthehen në kohë, shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron pronarët e kompanive të kërkojnë ndihmë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe në një ‘Rent a Car’ në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku një person po dyshohet se kishte marrë me qira dy vetura, që kapin vlerën e rreth 200 mijë eurove.
Përballë kësaj situate, pronari i kompanisë është detyruar që të denoncojë rastin në Polici, ku ka deklaruar se i dyshuari ishte i detyruar që veturën t’i kthejë dy veturat, Porsche dhe BMW, pas dy ditësh, por ende nuk është bërë i gjallë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë informacionet e para, përfshirë identitetin e personit që lidhi marrëveshje me kompaninë.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarit dhe lokalizimin se vendndodhjes së veturave.